Arrestimi i një të dyshuari për fajde në Pejë. Foto: Policia e Kosovës

Kush janë të arrestuarit nën dyshimet për fajde në Pejë, në mesin e tyre edhe një grua

Një grua e tre burra janë vënë në pranga nga policia me urdhër të Prokurorisë Themelore në Pejë nën dyshimet për fajde, detyrim e rrëmbim.

KALLXO.com ka mësuar edhe identitetin e të dyshuarve që janë arrestuar në aksionin i cili u zhvillua nën urdhrat e prokurorit të Pejës, Ersan Qavolli.

Idriz Hajrizi, Valbona Pakashtica, Irfan Pakashtica dhe Anes Pakashtica, janë të arrestuarit nga policia.

KALLXO.com mëson se vlera e parave që dyshohet se është dhënë për fajde ishte 120 mijë euro, ndërsa në këmbim dyshohet se u kërkuan 240 mijë euro.

“Me kërkese të Prokurorisë Themelore në Pejë, Departamentit të krimeve të rënda, Policia e Kosovës ka bastisur disa lokacione në kompetencë territoriale të Prokurorisë Themelore në Pejë dhe janë arrestuar dhe ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit katër persona të dyshuar për veprat penale fajde, detyrim dhe rrëmbim”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Pejës, më 20.06.2024.

Gjithashtu pas aksionit, policia publikoi edhe pamje të arrestimeve. Një ndër lokacionet ku u zhvillua edhe arrestimi ishte një kafene në Pejë.

Në aksionin i cili konsiderohej me rrezikshmëri të lartë u pa edhe njësiti elit i Policisë së Kosovës, Njësia Speciale Intervenuese apo siç njihet “FIT”.

Të pajisur me të gjitha mjetet e tyre, FIT kreu edhe ndërhyrjen për arrestimin e personave të dyshuar të cilët më pas u dërguan për intervistim dhe me urdhër të prokurorit Qavolli janë dërguar në mbajtje.

Gjithashtu siç mëson KALLXO.com, prokurori do të kërkoj edhe masën e sigurisë për të dyshuarit në mënyrë që të vazhdohet edhe trajtimi i rastit edhe më tutje pa pasur ndërhyrje nga ana e personave të përfshirë në rast.

Arrestimet për fajde dhe detyrim në Pejë e Prishtinë, për sa para bëhet fjalë?