Reagon Sveçla pas deklaratave të Qalajt: Takimi me shefat e hetimeve është mbajtur për prezantimin e të arriturave të Policisë

Gati 9 orë pas deklaratave që bëri deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, i cili tha se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka marrë në pyetje për 12 orë shefat e hetimeve, ky i fundit ka bërë një reagim.

Sveçla tha se takimi i përmendur sot ka qenë prezantim i të arriturave të Policisë në fushën e luftimit të krimit, në formatin e punëtorisë, duke thënë “për ironi të fatit, në objektin që është pronë e MPB-së”.

Ministri tha se pjesëmarrësit e atij takimi kanë qenë me autorizimin e eprorit të Policisë dhe kabinetit të tij.

“Policia e Kosovës është Agjenci Ekzekutive nën ombrellën e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Është detyrë e imja që të kërkoj prezantim apo raport mbi të gjitha angazhimet që Policia e Kosovës i ka në mandat dhe të obliguara ligjërisht që t’i zbatoj” – tha Sveçla.

Ndër të tjera, ai shtoi se diçka e tillë vlen për të gjitha agjencitë që mbulon Ministria e Punëve të Brendshme, e jo vetëm për Policinë.

“Mbase po duan të thonë se Departamenti i Hetimeve në Polici, e ato që janë për krimin e organizuar e korrupsionin duhet t’i raportojnë z. Qalaj ende? A çfarë është porosia e kësaj insinuate të thënë sot në Kuvend? Apo po duan të intimidojnë policët hetues që kryejnë punët e tyre? Padyshim që asnjë qëllim të mirë nuk e ka pasur sot ish Drejtori i policisë, deputeti i PDK-së Rashit Qalaj” – shtoi Sveçla.

Ai gjithashtu tha se nuk kanë rrugë tjetër përveç asaj të luftimit të krimit dhe se do ta ndjekin atë rrugë pashmangshëm.

“Lufta jonë ndaj krimit do të vazhdojë, përkundër sulmeve e përpjekjeve për të minuar këtë proces. Për këdo që ka dilema në këtë, më vjen keq për ta, është proces i pakthyeshëm dhe natyrisht për disa edhe i dhimbshëm” – tha i pari i MPB-së.

Sveçla po ashtu tha se nuk kanë pranuar të shantazhohen nga asnjë rrethanë, e se sot më shumë së kurrë as nuk shantazhohen e as nuk zbmrapsen.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka thënë se ministri Sveçla ka bërë “ushtrimin e ndikimit në punët operacionale të Policisë së Kosovës”.

“Në fillim të marsit, ministri i Brendshëm në objektin e MPB-së në Parkun Nacional në Blinajë përafërsisht 12 orë ka mbajtur shefat e hetimeve të Departamentit të hetimeve duke i raportuar për raportin vjetor, që është e kundërligjshme, është e tmerrshme, është frikësuese dhe që nuk guxon të ndodhë. Të mos harrojmë se disa njësi siç është task-forca i japin llogari Prokurorisë Speciale, ndërsa detyrohen që t’i raportojnë ministrit”- tha ai.

Sipas Qalajt, ministri i Brendshëm Sveçla duhet të merret me shtesat për policët dhe jo marrjen në pyetje të hetuesve.

Tutje Qalaj ka bërë thirrje që ministrat e Qeverisë Kurti të largohen nga ndikimi në organet e drejtësisë.

Qalaj ka thënë se Policia e Kosovës ka dhënë arsyetim të pavërtetë edhe për rastin e major Musli Salihut, i cili më 2 prill është larguar nga pozita e të parit të hetimeve të Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës.

“KALLXO.com kur i bënë pyetje policisë se a është e vërtetë që është shkarkuar drejtori i Krimeve Ekonomike për shkak se njësitet e tij kanë filluar hetimin, Policia e Kosovës fatkeqësisht për herë të dytë këtë vit, i përgjigjet me të pavërteta, dhe thotë ky rast është duke u hetuar nga një njësi nga taskforca anti-korrupsion që është e vërtete, mirëpo që nuk është e vërtetë që është hetuar nga njësitet e krimeve ekonomike”- tha Qalaj.

KALLXO.com ka raportuar se majori Musli Salihu është larguar nga pozita e të parit të hetimeve të Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës.

Ai tani ka kaluar në Drejtorinë e Teknikës Kriminalistike.

Salihu ishte emëruar shef i hetimeve në Krimet Ekonomike nga Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti.

Ndër të tjera, KALLXO.com gjatë ditës ka mësuar se drejtorë që ka aluduar Qalaj, janë Arben Paçarizi, ish-drejtor i Departamentit të Hetimeve, Drejtori i Divizionit të Hetimeve, Drejtori i Divizionit për Hetimin e Krimeve të Rënda si dhe Shefin e Taskforcës.

Ish-drejtori i hetimeve në Policinë e Kosovës, Arben Paçarizi ka refuzuar të flas në lidhje me këto pretendime duke thënë se duhet të kërkojmë përgjigje në zyrën për media.

“Nuk mund të jap asnjë përgjigje në lidhje me këtë çështje, drejtohuni në zyrën për media”- tha në telefon Paçarizi.

Madje ai nuk pranoi edhe të flas në lidhje me ndryshimin e pozitës së tij nga Drejtor i Departamentit të Hetimeve në  Njësinë për bashkëpunim ndërkombëtar në zbatim të ligjit (ILECU).

“Unë po ju tregoj ka muaj të tërë që unë kam kaluar në një pozicion tjetër”- shtoi shkurt Paçarizi, duke mos dhënë detaje të tjera për transferimin e tij në ILECU.

Në lidhje me pretendimet e ish-drejtorit të PK-së, Rashit Qalaj, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me shefin e Taskforcës, Shemsi Haziri.

“I pash lajmet nëpër media, ju lutem t’i drejtoheni zyrës për informim. E kemi një hierarki që duhet me respektu, duhet me i dërgu pyetjet në zyrë për media ata sigurisht më kontaktojnë mua dhe më pas merrni përgjigje prej tyre”- ka shpjeguar Haziri duke refuzuar që të tregoj nëse ka marrë pjesë në këtë takim.

KALLXO.com ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga Drejtoresha e Divizionit të Hetimeve, Florie Hajra, por e njëjta nuk ka qenë e qasshme përmes telefonit.

Pretendimet se ministri Sveçla i mori në pyetje, heshtin drejtorët e hetimeve të Policisë