Qalaj: Sveçla i mbajti për 12 orë duke i raportuar shefat e hetimeve në objektin e MPB-së në Blinajë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj ka thënë se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka marrë në pyetje për 12 orë shefat e hetimeve.

Në sencën e Kuvendit të Kosovës, deputeti i PDK-së Qalaj ka thënë se ministri Sveçla ka bërë “ushtrimin e ndikimit në punët operacionale të Policisë së Kosovës”.

 

“Në fillim të marsit, ministri i Brendshëm në objektin e MPB-së në Parkun Nacional në Blinajë përafërsisht 12 orë ka mbajtur shefat e hetimeve të Departamentit të hetimeve duke i raportuar për raportin vjetor që është e kundërligjshme, është e tmerrshme, është frikësuese dhe që nuk guxon të ndodhë. Të mos harrojmë se disa njësi siç është taskforca i japin llogari prokurorisë speciale, ndërsa detyrohen që t’i raportojnë ministrit”- tha ai.

Për këtë deklaratë, KALLXO.com ka kontaktuar ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla, por i njëjti nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike. KALLXO.com i ka dërguar pyetje me mesazh telefonik ministrit, përderisa ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme për të marrë qëndrim për këtë çështje dhe është në pritje të përgjigjes.

Sipas Qalajt, ministri i brendshëm Sveçla duhet të merret me shtesat për policët, dhe jo marrjen në pyetje të hetuesve.

“Ministri i Brendshëm në vend që të merret me grevën që është duke u mbajtur në flotën operative nga punonjësit civilë atje për shkak pagave të vogla, dhe në vend që të merret me shtesat e që sindikata e policisë e ka paralajmëruar qeverinë për veprime radikale, merret me ushtrimin e ndikimit në punët operacionale të policisë së Kosovës”- tha ai.

Tutje Qalaj ka bërë thirrje që ministrat e qeverisë Kurti të largohen nga ndikimi në organet e drejtësisë.

“Prandaj thërras deputetët e partisë më të madhe, LVV-së, thërras ministrat që të largohen nga ndikimi i drejtpërdrejtë që janë duke bërë në organet e drejtësisë e sidomos në organet e ndjekjes siç janë njësitë e hetimeve në kuadër të Policisë së Kosovës, ata kanë udhëheqës, menaxher dhe llogari i japin atyre”- tha ai.

Qalaj ka thënë se Policia e Kosovës ka thënë arsyetim të pavërtetë edhe për rastin e Major Musli Salihu i cili më 2 prill është larguar nga pozita e të parit të hetimeve të Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës.

“KALLXO.com kur i bënë pyetje policisë se a është e vërtetë që është shkarkuar drejtori i Krimeve Ekonomike për shkak se njësitet e tij kanë filluar hetimin, Policia e Kosovës fatkeqësisht për herë të dytë këtë vit, i përgjigjet me të pavërteta, dhe thotë ky rast është duke u hetuar nga një njësi nga taskforca anti-korrupsion që është e vërtete, mirëpo që nuk është e vërtetë që është hetuar nga njësitet e krimeve ekonomike”- tha Qalaj.

KALLXO.com ka raportuar se Majori Musli Salihu është larguar nga pozita e të parit të hetimeve të Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës.

Ai tani ka kaluar në Drejtorinë e Teknikës Kriminalistike.

Salihu ishte emëruar shef i hetimeve në Krimet Ekonomike nga Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti.

Policia e Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com ka arsyetuar ndryshimin brenda pozitave menaxheriale duke thënë se Salihu ka përgatitje të lartë profesionale dhe eksperiencë pune mbi 10-vjeçare në Drejtorinë e Teknikës Kriminalistike dhe ai mund ta udhëheqë këtë Drejtori drejt avancimeve të nevojshme.

Në anën tjetër ata kanë mohuar se emërimi i tij në një drejtori tjetër lidhet me aksionin e fundit në KEK.

“Ndërsa sa i përket rastit në fjalë, ju informojmë se ky rast nuk ndërlidhet me ndryshimet/emërimet e kryera, pasi që rasti në fjalë nuk është hetu nga DHKEK, është duke u hetuar nga tjetër nivel i hetimeve në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale”- thuhej në përgjigjen e Policisë së Kosovës për KALLXO.com.

I emëruari në kohën e Qeverisë Kurti në Krime Ekonomike largohet nga pozita

Operacionet e fundit kundër korrupsionit, largohet nga posti shefi i hetimeve të Krimeve Ekonomike