Reagimi i Ramush Haradinajt pas konfirmimit të aktakuzës ndaj Kadri Veselit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shprehur mbështetjen ndaj kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, pasi ndaj këtij të fundit iu konfirmua aktakuza nga Gjykata Speciale.

Përmes një fotografie të bashkangjitur me Veselin, ish-kryeministri ka shkruar shkurt “ishim bashkë në kohët e vështira, jemi bashkë edhe sot”, në rrjetin social “Facebook”.

Gjykata Speciale e ka konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndaj kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. Ndërkaq në mbrëmjen e së mërkures, anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, e ka konfirmuar se ndaj tij është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte lëshuar një njoftim për një propozim-aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-Kryeparlamentarit Kadri Veseli për krime kundër njerëzimit.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare, më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në aktakuzë pretendohej se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

Konfirmohet aktakuza për Kadri Veselin

.