Ndërmarrja Publike “Telekomi i Kosovës”, Foto: Valon Fana, KALLXO.com.

Rasti 'Telekomi - Dardafone', përjashtohet gjyqtari Alajdin Tërshnajku

Kryetari i Gjykatës Komerciale të Kosovës, Mahil Tutuli, ka marrë vendim me të cilin e ka përjashtuar gjyqtarin Alajdin Tërshnjaku nga trajtimi i rastit mes Telekomit dhe “Dardafonit.net” L.L.C në çështjen kontestuese ku Telekomi i Kosovës ka kërkuar që të anulohet vendimi i Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Vendimin Tutuli e ka marrë më 31 janar të këtij viti.

Telekomi i Kosovës kishte kërkuar që Tërshnjaku të përjashtohej nga gjykimi mbi pretendimet se ka dështuar të jetë i paanshëm, mos respektimin e vendimeve të shkallëve më të larta. Arsyeja tjetër pse Telekomi ka kërkuar përjashtimin e gjyqtarit kishte të bënte me bashkimin e dy lëndëve në një të vetme.

“Në rastin konkret përkundër faktit se nuk ka asnjë element të vetëm që do të vinin në pikëpyetje paanshmërinë e gjyqtarit megjithatë për shkak të reagimeve të palës, interpretimit subjektiv dhe paragjykues të fakteve dhe plasimit të dyshimeve në publik, mund të krijohet tek personat që nuk posedojnë informacionin e plotë të rastit perceptimi i gabueshëm dhe bindja se paanshmëria mund të cenohet nëse vazhdon më rastin i njëjti gjyqtar”- thuhet në vendimin për përjashtimin e gjyqtarit.

Paraprakisht në vendimin për përjashtim, thuhet se nuk ekzistojnë shkaqet ligjore për përjashtim obligues të gjyqtarit dhe se nuk ekziston asnjë rrethanë që do të ndikonte në objektivitetin dhe paanshmërinë e gjyqtarit në fjalë.

Sipas kryetarit të Gjykatës, pretendimet e përfaqësues së Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, nuk paraqesin asnjë fakt, por vetëm përbëjnë paragjykime të shprehura me gjuhë jo profesionale dhe jashtë çdo norme të etikës së lejueshme të komunikimit publik, e aq më pak në komunikimin e palëve me gjykatën.

Sipas kryetarit të Gjykatës, pretendimi e përfaqësuesit të Telekomit të Kosovës se gjyqtari nuk e njeh ligjin, është jo kompetent dhe qëllimisht po vepron në kundërshtim me ligjin, ende pa filluar procedura, janë plotësisht të papranueshme.

Megjithatë Tutuli ka konstatuar se pajtohet që përjashtimi i gjyqtarit nga trajtimi i rastit do të kontribonte në forcimin e besimit në sistem të drejtësisë dhe se ky veprim është në interesin e drejtësisë. Andaj kryetari i Gjykatës për shmangur çdo dyshim nga palët dhe publiku lidhur me objektivitetin dhe paanshmërinë e këtij procesi, gjyqtari i ngarkuar me këtë lëndë është përjashtuar.

Telekomi i Kosovës më 22 janar të këtij viti kishte kërkuar të përjashtohet nga trajtimi i rastit gjyqtari Alajdin Tërshnjaku në çështjen komerciale kundër operatorit ekonomik “Dardafon.net” L.L.C. në çështjen kontestuese ku Telekomi ka kërkuar që të anulohet vendimi i Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Rasti ka të bëjë me skadimin e marrëveshjes së vitit 2019 “Marrëveshja e mbështetjes për operator virtual të rrjetit mobil”, e cila ishte lidhur në vitin 2009.

Sipas vendimit të Arbitrazhit të datës 18 shkurt të vitit 2022, Telekomi kishte shkelur detyrimin e parashikuar në marrëveshjen e mbështetjes për operator virtual të rrjetit mobil për të negociuar me mirëbesim. Kështu Telekomi i Kosovës ishte obliguar që t’ia paguajë mbi 11 milionë euro kompanisë “Z-Mobile” pasi ka humbur edhe një rast kundër kompanisë “Dardafon.net” L.L.C. në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Arbitrazhi e kishte obliguar Telekomin e Kosovës t’i paguajë 10 milionë e 270 mijë euro kompanisë “Dardafon.net” L.L.C.

Përveç kësaj, për këtë shumë Telekomi do të paguajë edhe 8 për qind interes që do të llogaritet nga tetori i vitit 2019.

Nga kjo shumë prej 10.2 milionë euro, 7 milionë e 590 mijë do t’i paguajë në emër të fitimeve të humbura të “Z-Mobile”. Ndërsa Telekomi detyrohet që t’i paguajë edhe 2 milionë e 680 mijë euro në lidhje me dëmet e likuiduara të “Z-Mobile”.

Përveç vendimit bazë, Telekomi i Kosovës ishte obliguar që t’ia paguajë kompanisë së Blerim Devollit shpenzimet e bëra për arbitrazh në shumën prej 1 milion e 290 mijë e 770 euro. Telekomi do të paguajë edhe 117 mijë euro për kostot fikse për Arbitrazh. Koha për pagesën e 1.4 milionë eurove është 30 ditë, ndërsa pas kësaj periudhe Telekomi ngarkohet me një normë të interesit prej 8 për qind.

Të gjitha këto detyrime që Telekomi duhet t’i paguajë “Z-Mobile” kapin shifrën e 11 milionë e 667 mijë euro.

Kundër këtij vendimi të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, padi kishte paraqitur Telekomi, duke kërkuar që të anulohet i tëri.

Pse përfaqësuesit e Telekomi kërkuan përjashtimin e Gjyqtarit?

Gjykimi i cili pritej të fillonte më 22 janar të këtij viti, për të trajtuar padinë e Telekomit të Kosovës, ishte ndërprerë. Arsyeja për ndërprerje doli të jetë kërkesa e paditësit (Telekomit) për përjashtim të gjyqtarit Alajdin Tërshnjaku, i cili ishte caktuar për ta gjykuar këtë rast.

Parashtruesit e kërkesës qenë Lulzim Sokoli, përfaqësues ligjor i Telekomit, Feim Kelmendi, zyrtar kryesor financiar i Telekomit dhe Leonora Syla, drejtoresha për çështje të korporatës në Telekom.

Këta thonë se gjyqtari i çështjes ka dështuar që të jetë i paanshëm, ka bërë shkelje ligjore serioze dhe nuk ka respektuar rekomandimet e dhomës së shkallës së dytë.

“Anshmëria e skajshme, shkeljet serioze ligjore dhe mosrespektimi i urdhrave dhe rekomandimeve të gjykatave më të larta të gjykatësit Alajdin Tërshnjaku, në dëm të Telekomit të Kosovës në të gjitha rastet e gjykuara prej tij, që kanë përfshirë si palë Telekomin e Kosovës dhe Dardafon (të njëjtave palë edhe në rastin ke.nr 2142/22)” – thuhet në kërkesën për përjashtim.

Në ankesë thuhet se me vendimin e shkallës së dytë në rastin e procedurës përmbarimore (rast tjetër), si rrjedhojë e shkeljeve flagrante dhe mospërfilljes së sugjerimeve nga gjyqtari Tërshnjaku është urdhëruar që në procedurën e rishqyrtimit çështja të zhvillohet para një gjyqtari tjetër.

Një tjetër arsye se pse Telekomi po kërkon përjashtimin e gjyqtarit Tërshnjaku nga gjykimi i kësaj lënde ka të bëjë me bashkimin e dy lëndëve që i ka Telekomi me “Dardafon.net” e që është bërë pa pasur pëlqimin paraprak nga Telekomi.

“Vendimin e kundërligjshëm të gjyqtarit Alajdin Tërshnjaku për të bashkuar dy lëndë mes të Telekomit të Kosovës dhe ‘Dardafon.net’, përkundër që një veprim i tillë është tërësisht kundërligjor”- thotë ankesa e Telekomit për përjashtimin e gjyqtarit.

Sipas përfaqësuesve të Telekomit, në Gjykatën Komerciale/dhoma e shkallës së parë në Departamentin për çështje ekonomike, zhvillohen dy procedura të ndara dhe të pavarura. Njëri rast ka të bëjë me padinë e Telekomit për ta anuluar vendimin e Arbitrazhit kundër “Dardafon.net” dhe rasti i dytë ka të bëjë me propozimin e “Dardafon.net” për njohje dhe ekzekutimin e vendimit të huaj – dhomës ndërkombëtare të tregtisë kundër Telekomit.

“Këto dy raste janë tërësisht të ndryshme sa i përket objektit, bazës ligjore të aplikueshme dhe procedurës. Përkundër kësaj, Gjykata e faktit, përmes gjyqtarit të çështjes, Alajdin Tërshnjaku, lidhur me këtë çështje kontestimore më datë 11.04.2024 i ka dërguar Telekomit thirrjen KE.nr.2142/22 të datës 04.01.2024 me të cilën e fton të marrë pjesë në seancën e caktuar për datën 22.01.2024 në të cilën thirrje ka shënuar se lënda kontestuese është “Njohja dhe ekzekutimi i vendimit të huaj të arbitrazhit, por, nuk ka shënuar se a është në pyetje seanca përgatitore, seanca e shqyrtimit kryesor apo cila seancë konkrete”- thuhet në kërkesën për përjashtim.

Sipas pretendimeve të Telekomit, thirrja KE.nr.2142/22 ka qenë shumë konfuze, e pasaktë dhe e paqartë pasi që me këtë shënjim evidentohet në Gjykatë lënda e “Dardafon.net” për propozim për njohje të ekzekutimit të vendimit të huaj.

Në kërkesë Telekomi thotë që ka komunikuar me gjyqtarin e rastit më 19.01.2024, i cili i ka njoftuar se konfuziteti në thirrjen KE.nr 2142/22 është krijuar nga procesmbajtësja e jo nga ai.

“Zyrtarët e Telekomit të Kosovës, janë takuar edhe me gjyqtarin Alajdin Tërshnjaku, më datën 19.01.2024 i cili ka njoftuar zyrtarët se konfuziteti në thirrjen KE.nr. 2142/22 është krijuar nga procesmbajtësja e jo nga ai. Ndërsa seanca e datës 22.01.2024 ka të bëjë me padinë për anulimin e vendimit të huaj të Arbitrazhit…”- thuhet në kërkesën për përjashtim.

Lidhur me këto pretendime, Feim Kelmendi, zyrtar kryesor i financave në Telekom, kishte reaguar publikisht me një postim në Facebook.

Në kërkesë theksohet se nuk është kërkuar pëlqimi i palëve në këtë rast (të paktën nuk është kërkuar pëlqimi i Telekomit) që të bashkohen këto dy lëndë. Përveç kësaj, Telekomi thotë që nuk ka parë vendim të nxjerrë nga Gjykata ku mund të lexohet arsyetimi se pse është marrë vendimi për bashkimin e padive/lëndëve në procedurë.

Lidhur me kërkesën për përjashtim të gjyqtarit nga paditësja Telekomi, avokati Krasniqi tha se është veprim i lejueshëm i gjyqtarit, pasi që kështu e thotë praktika.

“Pretendimet për përjashtimin e gjyqtarit nuk gjejnë fare zbatim, gjyqtari mund t’i gjykojë shumë lëndë. Po normalisht që lejohet, kjo është praktikë që lejohet bashkimi i lëndës. Nuk pyet për pëlqim gjyqtari dhe nuk ka obligim përderisa është çështja e njëjtë”- tha Krasniqi për KALLXO.com.

Më 27 dhjetor 2023, dhomat e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale kanë vendosur ta kthejnë në rivendosje vendimin e dhomave të shkallës së parë që e kishte vendosur Alajdin Tërshnjaku, lidhur me rastin e procedurës përmbarimore mes “Dardafon.net” dhe Telekomit të Kosovës.

Alajdin Tërshnjaku në vitin 2016 kishte vendosur në favor të “Dardafon.net”, kompani e udhëhequr nga Blerim Devolli. Në favor të “Dardafon.net” kishte vendosur edhe Arbitrazhi ndërkombëtar.

Dhomat e shkallës së parë me gjyqtar Alajdin Tërshnjakun kishin vendosur lidhur me ekzekutimin e vendimit përfundimtar të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit të vitit 2016.

Përmes këtij vendimi e kishin detyruar Telekomin e Kosovës që t’ia paguajë kreditorit “Dardafon.net” shumën 5,732,871.34 euro në një afat prej 7 ditësh nën kërcënim të përmbarimit me dhunë.

Më tutje, me vendimin e shkallës së dytë është vendosur që dhomat e shkallës së parë procedurën e rishqyrtimit ta zhvillojnë nga një gjyqtar tjetër i të njëjtës Gjykatë dhe jo Alajdin Tërshnjaku, i cili kishte marrë aktvendimin e Dhomave të shkallës së parë në korrik të këtij viti.

Rasti i padisë për të cilin është kërkuar përjashtimi i gjyqtarit Tërshnjaku nga gjykimi i rastit Telekomi vs. “Dardafon.net”

Më 15 maj 2022 Telekomi ka dorëzuar padi në Gjykatën e Prishtinës me të cilën ka kërkuar që të anulohet vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit i datës 18 shkurt 2022.

Procesi gjyqësor ka të bëjë me skadimin e Marrëveshjes së mbështetjes për operator virtual të rrjetit mobil më 30 korrik 2019, në mes të Telekomit dhe “Dardafon.net” i bazuar në modelin e ndarjes së të hyrave. Pas skadimit të marrëveshjes së tillë mes dy palëve, Telekomi ka refuzuar që të vazhdojë me kushtet e reja kurse “Dardafon.net” ka refuzuar një marrëveshje të re në lidhje me standardet e industrisë.

Sipas vendimit të Arbitrazhit të 18 shkurtit të vitit 2022, Telekomi detyrohet që të paguajë fitimin e humbur për shkak se nuk ka arritur marrëveshje të re sipas kërkesës së “Dardafon.net”.

Në përgjigje në padi të dorëzuar më 23.9.2022, përfaqësuesit e “Dardafon.net”, avokati Driton Muharremi, Arbër Krasniqi dhe Agnez Furra, e kanë kundërshtuar në tërësi padinë e Telekomit.

“Dardafon.net” në përgjigje në padi ka pretenduar se Telekomi i Kosovës e ka dërguar kërkesën për anulimin e vendimit të Arbitrazhit, të 18 shkurtit 2022, në Gjykatën e Lartë të Drejtësisë – Gjykatat e Biznesit dhe Pronës në Angli dhe Gjykata Komerciale në Uells, e cila është kompetente për ta trajtuar këtë rast.

Andaj për këtë rast, sipas përgjigjes në padi, ekziston gjyqvartësia apo litispedenca mbi bazën e kësaj duhet të hidhet poshtë padia si e pa lejuar.

Gjyqvartësia apo litispedenca nënkupton që rasti i njëjtë është duke u trajtuar edhe në një gjykatë tjetër.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe palën e paditur përmes përfaqësuesit të saj, avokatit Arbër Krasniqi, i cili tregoi se pse e kundërshtojnë padinë që e kanë pranuar nga Telekomi.

“Padia për anulimin e vendimit të arbitrazhit është në kundërshtim me Ligjin për procedurë kontestimore. Fakti që të njëjtit kanë paraqitur padi në Gjykatën e Londrës për anulimin e këtij vendimi. Gjykata e Londrës ka marrë aktgjykim ku i ka refuzuar të gjitha pikat e padisë. Për atë aktgjykim të dy palët e kanë pranuar aktgjykimin, i njëjti është i plotfuqishëm në shtetin ekzekutues”- tha Krasniqi.

Zanafilla e problemit

Në fund të muajit korrik të vitit 2019, Telekomi mori vendim që mos të vazhdojë kontratën me kompaninë “Z-Mobile”.

Në atë kohë, kryesuesja e bordit të kësaj ndërmarrjeje, Besa Shatri- Berisha, kishte thënë se negociatat për lidhjen e një kontrate të re me operatorin telefonik ishin të pasuksesshme.

“Dardafon.net” L.L.C. ka operuar me emrin tregtar “Z-Mobile” si operator virtual i telefonisë mobile dhe 90% të aksioneve të kompanisë janë të Blerim Devollit. Ndërmarrja publike Telekomi i Kosovës dhe “Z-Mobile” kishin nënshkruar marrëveshje në janar të vitit 2009 me të cilën “Z-Mobile” bëhej operator virtual i Telekomit.

Telekomi i Kosovës prej kur shkëputi kontratën me “Z-Mobile” kishte telashe me borxhet. Mospajtimet mes këtyre palëve përfunduan në Arbitrazh. Si rrjedhojë, gjatë vitit 2019, Telekomi gjendej para një borxhi rreth 26 milionë eurosh ndaj “Z-Mobile”.