Telekomi kërkon të përjashtohet gjyqtari Alajdin Tërshnjaku nga gjykimi në rastin kundër "Dardafon.net"

Telekomi i Kosovës ka kërkuar të përjashtohet nga trajtimi i rastit gjyqtari Alajdin Tërshnjaku në çështjen komerciale kundër operatorit ekonomik “Dardafon.net” L.L.C. në çështjen kontestuese ku Telekomi ka kërkuar që të anulohet vendimi i Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Rasti ka të bëjë me skadimin e marrëveshjes së vitit 2019 “Marrëveshja e mbështetjes për operator virtual të rrjetit mobil”, e cila ishte lidhur në vitin 2009.

Sipas vendimit të Arbitrazhit të datës 18 shkurt të vitit 2022, Telekomi kishte shkelur detyrimin e parashikuar në marrëveshjen e mbështetjes për operator virtual të rrjetit mobil për të negociuar me mirëbesim. Kështu  Telekomi i Kosovës ishte obliguar që t’ia paguajë mbi 11 milionë euro kompanisë “Z-Mobile” pasi ka humbur edhe një rast kundër kompanisë “Dardafon.net” L.L.C. në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Arbitrazhi e kishte obliguar Telekomin e Kosovës t’i paguajë 10 milionë e 270 mijë euro kompanisë “Dardafon.net” L.L.C.

Përveç kësaj, për këtë shumë Telekomi do të paguajë edhe 8 për qind interes që do të llogaritet nga tetori i vitit 2019.

Nga kjo shumë prej 10.2 milionë euro, 7 milionë e 590 mijë do t’i paguajë në emër të fitimeve të humbura të “Z-Mobile”. Ndërsa Telekomi detyrohet që t’i paguajë edhe 2 milionë e 680 mijë euro në lidhje me dëmet e likuiduara të “Z-Mobile”.

Përveç vendimit bazë, Telekomi i Kosovës ishte obliguar që t’ia paguajë kompanisë së Blerim Devollit shpenzimet e bëra për arbitrazh në shumën prej 1 milion e 290 mijë e 770 euro. Telekomi do të paguajë edhe 117 mijë euro për kostot fikse për Arbitrazh. Koha për pagesën e 1.4 milion eurove është 30 ditë, ndërsa pas kësaj periudhe Telekomi ngarkohet me një normë të interesit prej 8 për qind.

Të gjitha këto detyrime që Telekomi duhet t’i paguajë “Z-Mobile” kapin shifrën e 11 milionë e 667 mijë euro.

Kundër këtij vendimi të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, padi kishte paraqitur Telekomi, duke kërkuar që të anulohet i tëri. 

Gjykimi i cili pritej të fillonte sot për të trajtuar padinë e Telekomit të Kosovës u ndërpre. Arsyeja për ndërprerje doli të jetë kërkesa e paditësit (Telekomit)  për përjashtim të gjyqtarit Alajdin Tërshnjaku, i cili ishte caktuar për ta gjykuar këtë rast.

Parashtruesit e kërkesës qenë Lulzim Sokoli, përfaqësues ligjor i Telekomit, Feim Kelmendi, zyrtar kryesor financiar i Telekomit dhe Leonora Syla, drejtoresha për çështje të korporatës në Telekom.

Këta thonë se gjyqtari i çështjes ka dështuar që të jetë i paanshëm, ka bërë shkelje ligjore serioze dhe nuk ka respektuar rekomandimet e dhomës së shkallës së dytë.

“Anshmëria e skajshme, shkeljet serioze ligjore dhe mosrespektimi i urdhrave dhe rekomandimeve të gjykatave më të larta të gjykatësit Alajdin Tërshnjaku, në dëm të Telekomit të Kosovës në të gjitha rastet e gjykuara prej tij, që kanë përfshirë si palë Telekomin e Kosovës dhe Dardafon (të njëjtave palë edhe në rastin ke.nr 2142/22)” – thuhet në kërkesën për përjashtim.

Në ankesë thuhet se me vendimin e shkallës së dytë në rastin e procedurës përmbarimore (rast tjetër), si rrjedhojë e shkeljeve flagrante dhe mospërfilljes së sygjerimeve nga gjyqtari Tërshnjaku është urdhëruar që në procedurën e rishqyrtimit çështja të zhvillohet para një gjyqtari tjetër.

Një tjetër arsye se pse Telekomi po kërkon përjashtimin e gjyqtarit Tërshnjaku nga gjykimi i kësaj lënde ka të bëjë me bashkimin e dy lëndëve që i ka Telekomi me “Dardafon.net” e që është pa pasur pëlqimin paraprak nga Telekomi.

“Vendimin e kundërligjshëm të gjyqtarit Alajdin Tërshnjaku për të bashkuar dy lëndë mes të Telekomit të Kosovës dhe ‘Dardafon.net’, përkundër që një veprim i tillë është tërësisht kundëligjor”- thotë ankesa e Telekomit për përjashtimin e gjyqtarit.

Sipas përfaqësuesve të Telekomit, pranë Gjykatës Komerciale/dhoma e shkallës së parë në Departamentin për çështje ekonomike, zhvillohen dy procedura të ndara dhe të pavarura. Njëri rast ka të bëjë me padinë e Telekomit për ta anuluar vendimin e Arbitrazhit kundër “Dardafon.net” dhe rasti i dytë ka të bëjë me propozimin e “Dardafon.net” për njohje dhe ekzekutimin e vendimit të huaj – dhomës ndërkombëtare të tregtisë kundër Telekomit.

“Këto dy raste janë tërësisht të ndryshme sa i përket objektit, bazës ligjore të aplikueshme dhe procedurës. Përkundër kësaj, Gjykata e faktit, përmes gjyqtarit të çështjes, Alajdin Tërshnjaku, lidhur me këtë çështje kontestimore me datë 11.04.2024 i ka dërguar Telekomit thirrjen KE.nr.2142/22 të datës 04.01.2024 me të cilën e fton të marrë pjesë në seancën e caktuar për datën 22.01.2024 në të cilën thirrje ka shënuar se lënda kontestuese është “Njohja dhe ekzekutimi i vendimit të huaj të arbitrazhit, por, nuk ka shënuar se a është në pyetje seanca përgatitore, seanca e shqyrtimit kryesor apo cila seancë konkrete”- thuhet në kërkesën për përjashtim.

Sipas pretendimeve të Telekomit, thirrja KE.nr.2142/22 ka qenë shumë konfuze, e pasaktë dhe e paqartë pasi që me këtë shënjim evidentohet në Gjykatë lënda e “Dardafon.net” për propozim për njohje të ekzekutimit të vendimit të huaj.

Në kërkesë Telekomi thotë që ka komunikuar me gjyqtarin e rastit më 19.01.2024, i cili i ka njoftuar se konfuziteti në thirrjen KE.nr 2142/22 është krijuar nga procesmbajtësja e jo nga ai.

“Zyrtarët e Telekomit të Kosovës, janë takur edhe me gjyqtarin Alajdin Tërshnjaku, me datën 19.01.2024 i cili ka njoftuar zyrtarët se konfuziteti në thirrjen KE.nr. 2142/22 është krijuar nga procesmbajtësja e jo nga ai. Ndërsa seanca e datës 22.01.2024 ka të bëjë me padinë për anulimin e vendimit të huaj të Arbitrazhit…”-thuhet në kërkesën për përjashtim.

Lidhur me këto pretendime, Feim Kelmendi, zyrtar kryesor i financave në Telekom, kishte reaguar publikisht me një postim në Facebook.

“Denoncim publik i skemës kriminale me qellim plaçkitjen e 15 milionë Eurove nga Grupi Kriminal Devolli” – fillonte postimi i Kelmendit në Facebook.

Në kërkesë theksohet se nuk është kërkuar pëlqimi i palëve në këtë rast (të paktën nuk është kërkuar pëlqimi i Telekomit) që të bashkohen këto dy lëndë. Përveç kësaj, Telekomi thotë që nuk ka parë vendim të nxjerrë nga Gjykata ku mund të lexohet arsyetimi se pse është marrë vendimi për bashkimin e padive/lëndëve në procedurë.

Lidhur me kërkesën për përjashtim të gjyqtarit nga paditësja “Telekom”, avokati Krasniqi tha se është veprim i lejueshëm i gjyqtarit, pasi që kështu e thotë praktika.

“Pretendimet për përjashtimin e gjyqtarit nuk gjejnë fare zbatim, gjyqtari mund t’i gjykojë shumë lëndë. Po normalisht që lejohet, kjo është praktikë që lejohet bashkimi i lëndës. Nuk pyet për pëlqim gjyqtari dhe nuk ka obligim përderisa është çështja e njëjtë”- tha Krasniqi për KALLXO.com.

Më 27 dhjetor 2023, dhomat e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale kanë vendosur ta kthejnë në rivendosje vendimin e dhomave të shkallës së parë që e kishte vendosur Alajdin Tërshnjaku, lidhur me rastin e procedurës përmbarimore mes “Dardafon.net” dhe Telekomit të Kosovës.

Alajdin Tërshnjaku në vitin 2016 kishte vendosur në favor të “Dardafon.net”, kompani e udhëhequr nga Blerim Devolli. Kuptohet, në favor të “Dardafon.net” kishte vendosur edhe Arbitrazhi ndërkombëtar.

Dhomat e shkallës së parë me gjyqtar Alajdin Tërshnjakun kishin vendosur lidhur me ekzekutimin e vendimit përfundimtar të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit të vitit 2016.

Përmes këtij vendimi, ato e kishin detyruar Telekomin e Kosovës që t’ia paguajë kreditorit “Dardafon.net” shumën 5,732,871.34 euro në një afat prej 7 ditësh nën kërcënim të përmbarimit me dhunë.

Më tutje, me vendimin e shkallës së dytë është vendosur që dhomat e shkallës së parë procedurën e rishqyrtimit ta zhvillojnë nga një gjyqtar tjetër i të njëjtës Gjykatë dhe jo Alajdin Tërshnjaku, i cili kishte marrë aktvendimin e Dhomave të shkallës së parë në korrik të këtij viti.

Rasti i padisë për të cilin është kërkuar përjashtimi i gjyqtarit Tërshnjaku nga gjykimi i rastit Telekomi vs. “Dardafon.net”

Me 15 maj 2022 Telekomi ka dorëzuar padi në Gjykatën e Prishtinës me të cilin ka kërkuar që të anulohet vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit i datës 18 shkurt 2022.

Procesi gjyqësor ka të bëjë me skadimin e Marrëveshjes së mbështetjes për operator virtual të rrjetit mobil më 30 korrik 2019, në mes  të Telekomit dhe “Dardafon.net” i bazuar në modelin e ndarjes së të hyrave. Pas skadimit të marrëveshjes së tillë mes dy palëve, Telekomi ka refuzuar që të vazhdojë me kushtet e reja kurse “Dardafon.net” ka refuzuar një marrëveshje të re në lidhje me standardet e industrisë.

Sipas vendimit të Arbitrazhit të 18 shkurtit të vitit 2022, Telekomi detyrohet që të paguajë fitimin e humbur për shkak se nuk ka arritur marrëveshje të re sipas kërkesës së “Dardafon.net”.

Në përgjigje në padi të datës të dorëzuar më 23.9.2022, përfaqësuesit e “Dardafon.net”, avokati Driton Muharremi, Arbër Krasniqi dhe Agnez Furra, e kanë kundërshtuar në tërësi padinë e Telekomit. 

“Dardafon.net” në përgjigje në padi ka pretenduar se Telekomi i Kosovës e ka dërguar kërkesën për anulimin e vendimit të Arbitrazhit, të 18 shkurtit 2022, në Gjykatën e Lartë të Drejtësisë – Gjykatat e Biznesit dhe Pronës në Angli dhe Gjykata Komerciale në Uells, e cila është kompetente për ta trajtuar këtë rast.

Andaj për këtë rast, sipas përgjigjes në padi, ekziston gjyqvartësia apo litispedenca mbi bazën e kësaj duhet të hidhet poshtë padia si e pa lejuar. 

Gjyqvartësia apo litispedenca nënkupton që rasti i njëjtë është duke u trajtuar edhe në një gjykatë tjetër.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe palën e paditur përmes përfaqësuesit të saj, avokatit Arbër Krasniqi, i cili tregoi se pse e kundërshtojnë padinë që e kanë pranuar nga “Telekomi”.

“Padia për anulimin e vendimit të arbitrazhit është në kundërshtim me Ligjin për procedurë kontestimore. Fakti që të njëjtit kanë paraqitur padi në Gjykatën e Londrës për anulimin e këtij vendimi. Gjykata e Londrës ka marrë aktgjykim ku i ka refuzuar të gjitha pikat e padisë. Për atë aktgjykim të dy palët e kanë pranuar aktgjykimin, i njëjti është i plotfuqishëm në shtetin ekzekutues”- tha Krasniqi.

Zanafilla e problemit

Në fund të muajit korrik të vitit 2019, Telekomi mori vendim që mos të vazhdojë kontratën me kompaninë “Z-Mobile”.

Në atë kohë, kryesuesja e bordit të kësaj ndërmarrjeje, Besa Shatri- Berisha, kishte thënë se negociatat për lidhjen e një kontrate të re me operatorin telefonik ishte e pasuksesshme.

“Dardafon.net” L.L.C. ka operuar me emrin tregtar “Z-Mobile” si operator virtual i telefonisë mobile dhe 90% të aksioneve të kompanisë janë të Blerim Devollit. Ndërmarrja publike Telekomi i Kosovës dhe “Z-Mobile” kishin nënshkruar marrëveshje në janar të vitit 2009 me të cilën “Z-Mobile” bëhej operator virtual i Telekomit.

Telekomi i Kosovës prej kur shkëputi kontratën me “Z-Mobile” kishte telashe me borxhet. Mospajtimet mes këtyre palëve përfunduan në Arbitrazh. Si rrjedhojë, gjatë vitit 2019,  Telekomi gjendej para një borxhi rreth 26 milionë eurosh ndaj “Z-Mobile”.

Më 23.01.2023, në ora 12:35, artikulli është plotësuar me dy përgjigje të përfaqësuesit të palës së paditur.