Gjykatësja Vlora Pacolli - Rexhepi, seanca 20.12.2023, Foto: KALLXO.com

Rasti 'Rruga A', refuzohet kërkesa për përjashtimin e gjykatëses Pacolli- Rexhepi

seancën e 20 dhjetorit të vitit të kaluar është mbajtur seanca për “Rrugën A”, ku kompania “Pro & CO Group” e ka paditur Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe ka kërkuar anulim të vendimit të kësaj të fundit lidhur me “Rrugën A – Pjesën e Parë”.

Dhoma e Shkallës së Dytë e Gjykatës Komerciale ka vendosur t’i hapë rrugë punimeve në këtë rrugë, më 3 janar të këtij viti.

Në këtë rast është e përfshirë edhe Komuna e Prishtinës si palë ndërhyrëse, së bashku me kompaninë “Sallahu” si operator ekonomik.

Në seancën në fjalë në Gjykatën Komerciale, avokati Daut Rudi, i cili përfaqëson kompaninë “Sallahu” ka kërkuar përjashtimin e gjykatëses së rastit Vlora Pacolli- Rexhepi, duke e cilësuar të njëjtën si jo objektive dhe të anshme.

Rudi me kërkesë formale i është drejtuar kryetarit të Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, i cili është autoriteti kompetent për të vendosur mbi këtë kërkesë.

Tutuli ka vlerësuar se nuk ka shkaqe ligjore për përjashtimin e kësaj gjyqtareje.

Pse e kishte kërkuar avokati përjashtimin e gjyqtares në fjalë?

Avokati Rudi në kërkesën e tij për përjashtim, kishte pretenduar se gjykatësja Pacolli- Rexhepi kishte bërë shkelje procedurale kur kishte caktuar seancë përgatitore.

Këto shkelje, Rudi kishte pretenduar se gjykatësja e ka bërë me vetëdije.

Pretendime tjera që avokati ka ngritur është mospajisja me shkresa të lëndës, dhe moszbatimi i udhëzimeve të dhëna nga shkalla e dytë, duke e konsideruar gjykatësen si të anshme dhe jo-objektive kur e njëjta i kishte ndërprerë fjalën.

Vendimet e kësaj gjykatëseje, Rudi ka theksuar se janë vendosur mbi bazën e pretendimeve vetëm të paditësit, duke anashkaluar pretendimet e palëve ndërhyrëse dhe të paditurit.

“… konstaton besueshmërinë dhe përshtatshmërinë e OE (Sallahut) duke u bazuar vetëm në pretendimet e palës paditëse, posaqërisht konstaton në mënyrë të pabazuar në asnjë provë se “Drejtori i OF Sallahu është i dënuar për veprën penale Falsifikim…” – thuhet në dosjen e siguruar nga Kallxo.com.

Çka ka thënë gjykatësja për këto pretendime të avokatit?

Gjykatësja përmes deklaratës me shkrim për pretendimet e avokatit ka dhënë arsyetimin e saj për secilën pikë.

Për mospajisjen me shkresa të lëndës, gjykatësja i ka bashkangjitur provën “fletëdorëzimin personal”, për caktimin e seancës  përgatitore ka thënë se është diskrecion i gjykatës caktimi i seancës dhe seanca ishte caktuar për padinë dhe jo për masë, dhe për pretendimin e jo-objektivitetit dhe anshmërisë, gjykatësja ka deklaruar se rendin në gjykatë e cakton ajo dhe jo palët.

Kurse lidhur me vendimarrjen e gjykatëses, ajo ka theksuar se është dhënë arsyetimi mbi vendimin.

Pasi kryetari i gjykatës ka shqyrtuar kërkesën e avokatit, deklarimet e gjykatëses dhe shkresat e lëndës ka gjetur se kjo kërkesë është e pabazuar dhe nuk ka shkaqe për përjashtimin e kësaj gjyqtareje në këtë rast.

Raportimet lidhur me rastin në fjalë, mund t’i lexoni në këtë LINK.