Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi me Emisarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, më 30 janar 2024. Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Qeveria pas takimit të Kurtit e Bislimit me Lajçakun: U fol për Marrëveshjen e Brukselit dhe zgjedhjet në veri

Qeveria e Kosovës është deklaruar përmes një komunikate pas takimit të kryeministrit Albin Kurti dhe zëvendësit të tij, Besnik Bislimi, me emisarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Sipas komunikatës, në takim është folur për zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi dhe aneksit të saj dhe për zgjedhjet e parakohshme në katër komunat veriore.

“Në këtë takim u diskutua në lidhje me aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit, siguria ligjore përmes nënshkrimit të tyre, por edhe për tema e çështje tjera si psh. respektimi i procedurave ligjore drejt zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të vendit” – thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Pas takimit të përbashkët ka pasur edhe një takim të veçantë ndërmjet zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe emisarit Lajçak.

Lajçak paraprakisht është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën ka folur për zgjedhjet në veri, masat e BE-së ndaj Kosovës dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Vizita e Lajçakut në Kosovë vjen një ditë pas takimit që ka zhvilluar në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq tha se themelimi i Asociacionit dhe mbajtja e zgjedhjeve në komunat në veri kanë qenë ndër temat kryesore të takimit.

“E theksova domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës urgjentisht, dhe kërkova mbështetje nga Bashkimi Europian për ndalimin e provokimeve të mëtejshme që vijnë nga Prishtina”- ka shkruar Vuçiq në profilin e tij në Instagram.

Pas katër viteve në krye të procesit dialogut Kosovë-Serbi, Lajçak pritet të përfundojë mandatin e tij në gusht të vitit 2024. Ai kishte nisur mandatin, fillimisht njëvjeçar, në prill të vitit 2020.