Foto: Presidenca e Kosovës

Zgjedhjet në veri, masat, asociacioni - Çka u fol në takimin e Osmanit me Lajçakun

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim sot emisarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ndërsa bëhet e ditur se palët folën për temat aktuale dhe më sfiduese në kuadër të dialogut mes të dyja vendeve.

Sipas një komunikate për media të Presidencës, në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, dhe se presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës si palë konstruktive në këtë proces.

Presidentja citohet të ketë thënë se theksuar se marrëveshja e Brukselit e 27 shkurtit 2023 dhe aneksi i Ohrit i 18 marsit 2023 duhet të zbatohen në plotni.

Osmani gjithashtu ka përmendur nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës duke shtuar se, Kosova në këtë drejtim, ka ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit në përputhje me kornizën ligjore.

“Presidentja Osmani ritheksoi nevojën e heqjes së masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog. Në këtë drejtim, ajo përsëriti se Kosova ka ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, duke miratuar edhe udhëzimin administrativ, ndërkaq theksoi pritjet e saj që kjo e drejtë e qytetarëve të realizohet pa vonesa e në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi”- thuhet në komunikatë.

Në këtë takim, sipas kumtesës, u përshëndetën të arriturat e fundit sa i përket zbatimit të marrëveshjes për energji si dhe asaj për targa, si hapa drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Sa i përket draftit të statutit të Asociacionit, në komunikatë bëhet e ditur se presidentja Osmani ka ritheksuar se institucioni i vetëm që mund ta interpretojë përfundimisht përputhshmërinë e këtij akti me Kushtetutën është Gjykata Kushtetuese e Kosovës, “gjersa po ashtu i shprehu shqetësimet e saj lidhur me disa dispozita të këtij drafti, të cilat mund të jenë sfiduese gjatë zbatimit në praktikë”.

Lajçak aktualisht po mban një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Vizita e emisarit europian në Kosovë vjen një ditë pas takimit që ka zhvilluar në Beograd me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq ka treguar se themelimi i Asociacionit dhe mbajtja e zgjedhjeve në komunat në veri, kanë qenë ndër temat kryesore të takimit.

“E theksova domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës urgjentisht, dhe kërkova mbështetje nga Bashkimi Europian për ndalimin e provokimeve të mëtejshme që vijnë nga Prishtina”- ka shkruar Vuçiq në profilin e tij në Instagram.

Pas katër viteve në krye të procesit dialogut Kosovë – Serbi, Lajçaku pritet të përfundojë mandatin e tij në gusht të vitit 2024. Ai kishte nisur mandatin, fillimisht njëvjeçar, në prill të vitit 2020.