Lajçak: Ka pasur progres të vogël në pikëpamje më të gjerë të dialogut

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se ka pasur progres të vogël në pikëpamje më të gjerë të normalizimit të marrëdhënieve.

Lajçak pas takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, ka dhënë detaje se çka diskutuan në takime.

“Kemi hyrë në vitin e ri 2024, është një vit specifik. Siç e dini do të ketë zgjedhje për Parlamentin Europian në qershor, do të ketë zgjedhje presidenciale më pas këtë vit, që do të thotë që vëmendja më vonë këtë vit do të jetë e fokusuar në këto procese dhe prandaj udhëtova dje në Beograd dhe në Prishtinë sot për të diskutuar për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, për të bërë një bilanc se ku jemi dhe të diskutojmë se sa progres mund të arrijmë para zgjedhjeve”- ka deklaruar Lajçak.

“E dini se falë dialogut ne kemi arritur rezultate të rëndësishme para fundit të vitit të kaluar, marrëveshjen e energjisë dhe gjithashtu edhe njohjen e targave dhe fundin e regjimit të letrave ngjitëse. Mendoj se ka prova konkrete për këtë“- shtoi ai.

Emisari theksoi se ka pak progres në pikëpamjen më të gjerë të procesit të normalizimit, duke shtuar se marrëveshja e shkurtit dhe marsit të vitit të kaluar duhet të zbatohen sa më shpejt të jetë e mundur dhe pa vonesa.

“Ka pak progres në pikëpamjen më të gjerë të procesin të normalizimit. E kemi marrëveshjen e shkurtit dhe marsit të vitit të kaluar, kjo do të thotë që nuk na duhet të bëjmë më pyetjen “Çka duhet të bëhet?”. Nuk kemi as pse të pyesim veten se si ta bëjmë. Pyetja është kur të bëhet dhe sigurisht nëse më pyesni mua, unë them se pa vonesa dhe sa më shpejt që të jetë e mundur të fillojmë me zbatimin”- tha Lajçak.

Lajçak tha se për ato çka ka biseduar me Kurtin dhe Vuçiq do t’i informojë vendet anëtare dhe udhëheqësit e BE-së dhe do të përgatisin hapat e tjerë të procesit.

“Kisha diskutime të gjata me kryeministrin Kurti, me zëvendëskryeministrin Bislimi dhe tani sigurisht se do të analizoj se çka kam dëgjuar dje nga presidenti Vuçiq dhe sot nga partnerët këtu dhe do t’i informoj sigurisht vendet anëtare dhe udhëheqësit në BE dhe do të përgatisim hapat e tjerë të procesit”- ka deklaruar Lajçak.

“Ne duam shumë që procesi i normalizimit të vazhdojë sepse sjell përfitime për të gjithë njerëzit që jetojnë këtu dhe po, kjo është aq sa mund të them sepse shpresoj që më kuptoni që mua më duhet të informoj udhëheqësit e mi dhe vendet anëtare për gjetjet”- tha mes tjerash ai.

Sa i përket vendimit të Bankës Qëndrore të Kosovës për dinarin, Lajçak tha se në lidhje me këtë çështje do të ketë njoftim nga Qeveria.

“Ne përmendëm çështjen e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, por nuk dua të veproj si zëdhënës i Qeverisë. Prandaj do të ketë informim për juve nesër dhe do të mësoni më shumë për të”- tha ai.

Lajçak gjithashtu sot është takuar me presidenten Vjosa Osmani, me të cilën sipas një komunikate për media bëhet e ditur se palët folën për temat aktuale dhe më sfiduese në kuadër të dialogut mes të dyja vendeve.

Vizita e emisarit europian në Kosovë vjen një ditë pas takimit që ka zhvilluar në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq ka treguar se themelimi i Asociacionit dhe mbajtja e zgjedhjeve në komunat në veri kanë qenë ndër temat kryesore të takimit.

“E theksova domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës urgjentisht, dhe kërkova mbështetje nga Bashkimi Europian për ndalimin e provokimeve të mëtejshme që vijnë nga Prishtina”- ka shkruar Vuçiq në profilin e tij në Instagram.

Pas katër viteve në krye të procesit dialogut Kosovë – Serbi, Lajçaku pritet të përfundojë mandatin e tij në gusht të vitit 2024. Ai kishte nisur mandatin, fillimisht njëvjeçar, në prill të vitit 2020.