Foto: ZKM

Qeveria ndan mbi 76 mijë euro për zbatimin e Pakos për ringjallje ekonomike

Qeveria e Kosovës ka ndarë 76 mijë e 730 euro për zbatimin e masës 2.1 të Pakos së ringjalljes ekonomike, e cila ka të bëjë me subvencionimin e kredive investive.

Ky vendim u mor unanimisht nga kabineti qeveritar, me propozim të Ministrisë së Financave të udhëhequr nga Hekuran Murati.

Murati tha se kjo masë është zbatuar në vazhdimësi duke i monitoruar bizneset.

“Kjo shumë e ndarë merr për bazë shumat e mbetura për disa biznese të cilat kanë pasur procedura shtesë sa i përket zbatimit të masës dhe tani meqenëse janë përfunduar të gjitha procedurat dhe janë identifikuar si të tilla kompanitë kërkohet që të procedohet kjo ndarje, në mënyrë që të bëhet pagesa” – shpjegoi ministri Murati.

Pakoja e ringjalljes ekonomike ishte prezantuar nga Hekuran Murati gati tri vjet më parë, më 30.6.2021, në vlerë prej 420 milionë eurosh, prej të cilave 190 milionë euro ishin nga të hyrat buxhetore, ndërsa 230 milionë euro të tjera janë siguruar nga huamarrja.

“Ringjallja Ekonomike” ishte ndarë në gjithsej 5 masa.