Albin Kurti, Foto: Qeveria e Republikës së Kosovës

'Ringjallja Ekonomike' e Qeverisë Kurti: Rritje e borxhit publik apo shpëtim i ekonomisë?

Të mërkurën e 30 qershort, pas një mbledhje të Qeverisë, kryeministri Albin Kuriti bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati, dolën në konferencë për media për të prezantuar pakon e masave për rimëkëmbjen ekonomike.

‘Ringjallja Ekonomike’ u quajt kjo pako nga ministri Murati dhe shuma totale e kësaj pako, sipas tij, është 420 milionë euro.

Në konferencën për media, Murati tha se kjo pako është përfshirë në buxhetin e rishikuar, ndërsa sipas tij, mjetet financiare për këtë pako janë siguruar nga të hyrat buxhetore dhe nga huamarrja.

“Shuma e përgjithshme e ‘Ringjalljes Ekonomike’, është 420 milionë euro, ku financimi nga të hyrat buxhetore është 190 milionë euro, ndërsa 230 milionë euro të tjera janë siguruar nga hua-marrja. Në kuadër të ringjalljes ekonomike të vendit, është edhe emitimi i bonove të diasporës, të cilat mjete gjithashtu do të përdoren për financimin e këtyre masave”, tha ndër të tjera Murati para gazetarëve.

“Gjysmë miliard euro rritje e borxhit publik brenda vitit”

Ish ministri i Financave në Qeverinë Haradinaj, Bedri Hamza i PDK-së, ka kritikuar pakon e ‘Ringjalljes Ekonomike’, duke thënë se Qeveria është vonuar me këto masa.

Ai në një prononcim për KALLXO.com, ka thënë se deri më tash nuk ka asgjë konkrete për sektorin privat, punëtorët që punëojnë në këtë sektor, e sidomos për ata që kanë humbur vendin e punës si pasojë e pandemisë.

“Nuk ka bërë ndonjë veprim konkret drejt shtresave që kanë nevojë të përkrahen siç janë pensionistët, kategoritë e dala nga lufta, personat me aftësi të kufizuara dhe kategoritë e tjera. Përtej kësaj ata nuk janë duke e zbatu ligjin e miratuar në Kuvendin e Kosovës, i cili i ka të parapara dhe është obligative 200 milionë euro grante, kontribute financiare pa kthim për sektorin e biznesit dhe 30 milionë euro për të punësuarit në sektorin privat që kanë humbur vendin e punës”, tha ish ministri Hamza.

Në anën tjetër, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albana Bytyqi e cila gjithashtu është anëtare e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ka thënë poashtu se pakoja e prezantuar nga ministri Hekuran Murati, është e vonuar por gjithsesi e mirëpritur.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Bytyqi tha se nuk pret që kjo pako të realizohet 100%.

“Në këtë pako hyjnë edhe grandet e subvencionet e ndryshme që tashmë me disa vendime i kanë zvogluar shumë ato dhe bujku do të dëmtohet shumë pa marre parasysh që pako duket e madhe. Po ashtu zvogëlimi i pensioneve e gjëra të kësaj natyre nuk duhet të jenë rritëse të pakove të tilla sepse pastaj dëmtohen më shumë qytetarët”, tha Bytyqi.

Kurse deputeti Hamza tha se së pari Qeveria Kurti duhet të qartësoj burimet e financimit, se ku do t’i marrin paratë për pakon e premtuar.

Ai tha se ka tendencë dhe një rrezik, për rritje të borxhit publik.

“Nëse rritet borxhi publik, jashtë kushteve normale do t’i ngarkojë gjeneratat e ardhshme, ata kanë me pagu borxhin publik, koston e jetesës së tyre je duke e ngarku dhe mbi të gjitha, këta janë duke e zvogëlu nivelin e investimeve kapitale dhe është e dëmshme me e rrit borxhin publik dhe me i zvogëlu investimet kapitale. Pakon e kanë kalu në Qeveri dhe krejt çka dihet është se borxhi publik do të rritet për gjysmë miliardi, vetëm brenda këtij viti”, tha ish ministri i Financave, Bedri Hamza.

Borxhi publik i Kosovës, i cili përbëhet nga borxhi i brendshëm dhe ai i jashtëm, arriti vlerën e 1.5 miliard eurove. Ky borxh u rrit rreth 24 për qind në raport me një vit më parë. Borxhi i jashtëm i Kosovës, përbën gjysmë miliardi euro. Në raport me buxhetin e rishikuar prej 2.5 miliardë eurove të Kosovës, i bie se borxhi publik është më i madh se gjysma e buxhetit të shtetit përkatësisht 60 për qind e tij.

Cilat janë masat e premtuara në ‘Ringjalljen Ekonomike’ të Qeverisë Kurti?

‘Ringjallja Ekonomike’ prej 420 milionë eurove është ndarë në gjithsej 5 masa.

50 milionë euro janë ndarë në Masën 1, për krijimin e vendeve të reja të punës dhe për mbështetjen e drejtpërdrejt të punëkërkuesve. Sipas ministrit Murati, nga këto 50 milionë, 10 milionë euro qeveria do t’i ndajë për ata që kanë humbur vendin e punës në periudhën mars 2020 – prill 2021.

108 milionë euro është shuma e ndarë për Masën 2 të Pakos. Sipas qeverisë, kjo masë është për ringjalljen e ekonomisë dhe të prodhimit. Kjo shumë do të përdoret për investime në teknologji e inovacion, prodhim dhe eksport, duke mos përjashtuar as mbështetjen e bizneseve që u goditën më së shumti nga pandemia.

Masa e 3-të prej pesë të tillave, ka parashikuar shumën prej 50 milionë eurove, për mbështetjen për familjet, shtresat e cënueshme të shoqërisë, që sipas Qeverisë, do të synojë për t’ua lehtësuar barrën që kanë pasur gjatë pandemisë.

Këtu përfshihen ndihma për familjet që kanë humbur kryefamiljarin nga COVID-19, pensionistët, skemat sociale e për familjet në nevojë.

Në masën e 4-të të ‘Ringjalljes Ekonomike’ të prezantuar nga ministri Hekuran Murati, përfshin 112 milionë mbështetje për sektorin publik. Sipas Qeverisë, rritja e cilësisë së shërbimeve publike, shërbimet më cilësore në shëndetësi, arsim, kulturë e sport janë ndër prioritetet kryesore të Qeverisë Kurti II.

Nga kjo shumë e Masës 4, është parashikuar 30 milionë euro për ndërmarrjet publike. Dhe gjithashtu është paraparë investime për blerjen e vaksinave, si dhe për blerjen e barnave esenciale.

Ndërsa në Masën e 5-të të pakos së premtuar, janë parashikuar të ndahen 100 milionë euro për investime në infrastrukturë dhe ambient.

Sipas Qeverisë, nga buxheti i tërësishëm për investime kapitale, rreth 100 milionë euro janë të dedikuara për investime në projekte strategjike që kanë të bëjnë me infrastrukturë rrugore e hekurudhore, si dhe me investime në ruajtjen e ambientit.

KËTU mund ta gjeni pakon e plotë të ‘Ringjalljes Ekonomike’ të Qeverisë Kurti II. Ndërsa KALLXO.com menjëherë sapo janë prezantuar këto masa në konferencë për media më 30 qershor, nga kryeministri Kurti dhe ministri Murati, ka kërkuar informata shtesë se si do të implementohen, zbatohen dhe mënyra e aplikimit për secilën masë, por deri në publikim të shkrimit, Ministria e Financave nuk ka kthyer fare përgjigje.