Komisioni për Planifikim Strategjik FOTO-Qeveria e Kosovës

Qeveria merr vendim për shpronësimin e disa pronave të paluajtshme

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish shoqërore, të cilat janë të nevojshme për realizimin e projekteve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).

Pronat për të cilat bëhet fjalë sipas njoftimit të qeverisë janë për ndërtimin e objektit të ri të Gjykatës Themelore në Pejë, ndërtimi i objektit të ri të Gjykatës Themelore në Prizren dhe renovimi dhe ndërtimi i ish objektit të filiales së “Jugobankës” në Mitrovicë, për nevoja të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave të paluajtshme.

“Në Zonën Kadastrale Bresallc, Komuna Gjilan, e cila preket nga ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, në Zonën Kadastrale Balincë Komuna e Malishevës, e cila preket nga ndërtimi i Rrugës Nacionale N9, Prishtinë-Pejë dhe në Zonën Kadastrale Milloshevë, Komuna e Obiliqit, e cila preket nga ndërtimi i Rrugës Nacionale N2 Prishtinë-Mitrovicë”, thuhet në njoftim të qeverisë.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për anulimin, ndryshimin dhe plotësimin e pjesërishëm të Vendimit Përfundimtar Nr.12/71, datë 23.10.2018, me të cilin janë miratuar shpronësimet e pronave të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës “Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë”, Segmenti Banullë – Bresallc, që prek komunat Lipjan (Zonat Kadastrale Banullë, Sllovi, Smallushë), Novobërdë (Zona Kadastrale, Parallovë) dhe Gjilan (Zonat Kadastrale Bresalc, Ponesh dhe Zhegovc).

Qeveria ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësimin për interes publik të Objekteve të cilat menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), të cilat preken nga realizimi i projekteve ndërtimi i Parkut që do të shërbejë për amfiteatrin e fshatit Mushtisht dhe ndërtimi i “çerdhes së fëmijëve dhe këndi për të moshuarit’’, në fshatin Studençan, në komunën e Suharekës.