Tregu në Bresje të Fushë Kosovës. Foto: Pajazit Krasniqi

Qeveria mbyll tregjet e automjeteve dhe të kafshëve

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, e cila është mbajtur online, është shqyrtuar dhe miratuar vendimi për masat e veçanta për mbrojtjen nga pandemia e COVID-19.

Komiteti për Koordinimin dhe Vlerësimin e situatës emergjente me Coronavirus – COVID -19, ka vlerësuar dhe i ka dhënë rekomandimet për Ministrinë e Shëndetësisë, përkatësisht për ndërmarrjen e masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

Përmes këtij vendimi është ndaluar veprimtaria e tregjeve publike të automjeteve dhe kafshëve në të gjithë territorin e Kosovës.

“Lejohet therja e kafshëve në ambientet e autorizuara për therjen e kafshëve”, theksohet në vendim.

Është ndaluar grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 5 personash në sheshe publike, parqe dhe vende të tjera publike, përjashtimisht për rastet e lejuara me këtë vendim.

“Ndalohen të gjitha tubimet publike, përfshirë seminaret, punëtoritë,  dasmat dhe ahengjet familjare,  si dhe çfarëdo forme tjetër organizimi ku ka grumbullim të njerëzve, përjashtimisht për rastet e lejuara me këtë vendim”, vazhdon vendimi i Qeverisë