Foto: ZKM

Qeveria jep detaje për takimin Kurti – O’Brien: U diskutua edhe rreth raporteve me Serbinë

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se në takimin mes kryeministrit Albin Kurti dhe Ndihmëssekretarit të Departamentit amerikan të Shtetit, James O’Brien, është diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe dhe fushat në të cilat mund të thellohen edhe më tej raportet ndërmjet dy vendeve.

Në njoftim thuhet se u diskutua edhe rreth raporteve me Serbinë, procesin e dialogut dhe zbatimin e Marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj.

“Një javë pas Samitit të Procesit të Berlinit, u vlerësua angazhimi, marrëveshja e nënshkruar dhe deklaratat e miratuara që e bënë 10-vjetorin e Procesit të Berlinit një përvjetor të suksesshëm në avancimin dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal drejt integrimit evropian. Në këtë takim u diskutua edhe rreth raporteve me Serbinë, procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj”- thuhet në njoftim.

Ndërsa thuhet se Kurti shprehu mirënjohjen e tij dhe të Qeverisë për rolin historik dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Republikës së Kosovës dhe popullit të saj dhe për bashkëpunimin e afërt në fushën e energjisë, ekonomisë, financave dhe sigurisë e mbrojtjes.

Tutje thuhet se Kurti në takim ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi.

Ndërkaq, përkrah Ndihmëssekretarit O’Brien ishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.

O’Brien më 21.10.2024 qëndroi në Kosovë në vizitën e tij të parë në pozitën e Ndihmëssekretarit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike të Departamentit amerikan të Shtetit.

Bisedim i gjatë Kurti – O’Brien, takimi zgjati mbi dy orë e gjysmë

Në dritë nisi e pak para territ përfundoi takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Ndihmëssekretarit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike të Departamentit amerikan të Shtetit, James O’Brien.

Takimi që nisi në orën 15:00 e zgjati deri në orën 17:35 u mbajt në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

O’Brien nuk pranoi pyetje nga gazetarët pas takimit.

Një ditë më parë, në Beograd, O’Brien u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Pas këtij takimi në Serbi, O’Brien tha për transmetuesin publik serb se kërkon që të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë të respektohen.

Hera e fundit kur Kurti u takua me O’Brien ishte në New York më 27.09.2024.