Operacionet e fundit kundër korrupsionit, largohet nga posti shefi i hetimeve të Krimeve Ekonomike

Lëvizje të reja në menaxhmentin e departamenteve të Policisë së Kosovës janë vërejtur pas operacioneve të fundit, operacione këto të ndërmarra kundër korrupsionit.

KALLXO.com mëson se shefi i hetimeve të Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, Musli Salihu, është larguar nga kjo pozitë.

Tutje, siç mëson KALLXO.com, i njëjti është pozicionuar në një pozitë tjetër, në Forenzikë.

Musliu në këtë pozitë kishte ardhur pas largimit të ish-drejtorit Nazim Sahiti.

Lëvizje të shumta të pozitave kyçe të drejtorive brenda Policisë se Kosovës kanë ndodhur në muajt dhe vitet e fundit.

Së fundmi pati ndryshime edhe në menaxhmentin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë.

Para disa ditësh, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një intervistë në RTK ka thënë se janë duke bërë reforma të thella në Policinë e Kosovës.

“Ne jemi në një reformë të thellë në Policinë e Kosovës, kjo është e qartë. Kemi organogram të ri bazuar në nevojat që janë vlerësuar nga ekspertë, ka projekte ndërkombëtare që janë të kyçur në këto reforma. Nëse po nisemi drejt reformave e pastaj e veshim me kapje nuk e kuptoj, nuk kam çka të kap diçka që është e MBP-së”- ka deklaruar Sveçla.

Ai shtoi se Policia është agjenci e MPB-së siç janë edhe IPK-ja e Forenzika.

“Policia e Kosovës është agjension i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ashtu siç është edhe IPK dhe Instituti për Administratë Publike, siç është Forenzika, e Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave si dhe ajo që po e krijojmë për siguri kibernetike”- ishte shprehur Sveçla.

Mes tjerash, ministri ka thënë se ka dyshime edhe për arrestimin e ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi , teksa ka shtuar se “qasja destruktive e segmenteve të caktuara të Prokurorisë bëjnë të kem dyshime në këtë rast”.