PZAP rivendos sot për votat e Diasporës, kjo përcakton fatin e NISMA-AKR-PD

Kryesuesi i Sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Mul Desku, ka thënë se ky organ do të mblidhet sot për të marrë një vendim të ri mbi votat e ardhura nga Diaspora.

Të premten Gjykata Supreme e Kosovës vendosi pro një ankese të Lëvizjes Vetëvendosje e cila kërkonte numërimin e rreth 5 mijë votave të ardhura nga Diaspora. Kjo Gjykatë përmes një aktgjykimi vendosi që t’i kthehet PZAP-së për rivendosje.

“Sot gjatë ditës do të merret, në çfarë kohe saktë nuk mund ta di, por brenda orarit të punës po deri në ora 16:00. Lajmin do ta bëjmë të ditur përmes një komunikate dhe palët do të njoftohen me vendim”, ka thënë Desku për KALLXO.com.

Ai tha se PZAP do t’i marrë parasysh sugjerimet e Supremes, pa dashur ta paragjykojë vendimin e ri të këtij organi mbi votat e ardhura nga Diaspora.

“Ne nuk mundemi me komentu vendimin e Gjykatës Supreme, ajo është një shkallë më e lartë, ajo e ka kthy në rivendosje, paneli do ta merr vendimin lidhur me sugjerimin e Gjykatës”, tha ai.

KALLXO.com ka raportuar edhe mbi efektin e numërimit të këtyre votave mbi koalicionin Nisma-AKR-PD. Sic ka deklaruar anëtari i AKR-së, Fatmir Matoshi, ky numërim do ta përcaktoj përfundimisht kalimin apo jo të të pragut të këtij koalicioni.

Koalicioni NISMA-AKR-PD pret PZAP-në për ta mësuar fatin e ‘pragut’

 

www.kallxo.com