PZAP gjobit Listën Serbe me 10 mijë euro për presion ndaj votuesve në Kllokot

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka gjobitur me 10 mijë euro Listën Serbe, pasi që ka konstatuar se u ka bërë presion votuesve në ditën e zgjedhjeve me 14 nëntor, në komunën e Kllokotit.

Vendimi për gjobitje të Listës Serbe ka ardhur pasi ankesës së kandidatit për kryetar të komunës së Kllokotit, nga partia Srpska Narodna Sloga, Strahinja Spasiq.

Sipas PZAP-së, ankesa pretendon se zyrtarë të Listës Serbe u kanë bërë thirrje të gjithë punëtorëve të arsimit të paraqiten në selinë e administratës shkollore në Mitrovicë dhe ju ka bërë presion ndaj punëtorëve të arsimit se duhet të votojnë Listën Serbe, ose në të kundërtën do të largohen nga puna.

Gjithashtu, në ankesë thuhet se Bozhidar Dejanoviq në cilësinë e kryetarit të komunës së Kllokotit ka dhënë më shumë se 50 kontrata mbi vepër, vetëm për të votuar Listën Serbe.

Po ashtu, tutje pretendohet se presion është bërë edhe nga drejtori i spitalit në Pasjan, Zoran Periq, ndaj punëtorëve shëndetësorë që të votojnë Listën Serbe.

Në fund PZAP-ja pasi ka bërë vlerësimin e provave të bashkangjitura në ankesë, ka ardhur në përfundim se Lista Serbe me veprimet e mbështetësve të saj e ka thyer Kodin e Mirësjelljes, duke kërcënuar personat votues që nëse nuk votojnë Listën Serbe, do të shkarkohen nga postet e tyre, nëpër  institucionet që punojnë, sipas strukturave paralele.

“Nëse subjekti të cilit është shqiptuar dënimi nuk e paguan gjobën e shqiptuar, brenda afatit të përcaktuar, atëherë subjektit do t’i shqiptohet dënim shtesë”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Vendimin e plotë të PZAP-së për gjobitjen e Listës Serbe mund ta gjeni KËTU.