Detajet e vendimit të Supremes që anuloi vendimin e PZAP-së ndaj votave të Diasporës

Një kolegj i Gjykatës Supreme i përbërë nga gjyqtarët Nebojasha Boriçiq, kryetar, Shukri Sylejmani dhe Agim Maliqi, anëtar ka vendosur pro ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të datës 19 tetor.

Në Aktgjykimin të cilin e ka publikuar Adnan Rrustemi, anëtar i LVV-së në Komisionin Qendror Zgjedhor, thuhet se lënda do t’i kthehet në rishqyrtim dhe rivendosje PZAP-së.

Supremja kërkon të numërohen votat e Diasporës

Në arsyetimin e Aktgjykimit thuhet në mes tjerash se me vendim të PAZAP-së ishte hedhë si e palejueshme ankesa e Lëvizjes Vetëvendosje e cila kërkonte që të numëroheshin 4 mijë e 639 fletëvotime të votuesve jashtë Kosovës të pranuara në KQZ prej datës 08.10.2019 deri më datë 11.10.2019 të procedohen si fletëvotime të rregullta dhe të lejohet numërimi i tyre në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Këtë ankesë Gjykata Supreme e Kosovës e vlerësoi me Aktgjykim se të bazuar.

“Gjykata vlerësoi se janë ë bazuara pretendimet e LVV-së, paraqitur në ankesën ndaj vendimit të kontestuar të PZAP, sepse i njëjti përmban parregullsi dhe për këtë arsye është dashtë të anulohet”, thuhet në Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës.

“Gjykata vlerëson, duke pas parasysh nenin 127.2 në Ligjit për Procedurën Kontestimore i cili parashikon se, në qoftë se parashtresa është dërguar me anë të postës me letër rekomande apo në rrugë telegrafike, dita e dorëzimit në postë konsiderohet si ditë e dorëzimir në gjykatën të cilës i është drejtuar. Në arsyetimin e vendimit të kontestuar theksohet se numri i konsiderueshëm i këtyre dërgesave postare, si datë të nisjes kanë datat 19,20,23,25 e deri më 30 shtator 2019”, thuhet tutje në vendim.

“Kjo Gjykatë konsideron si të paqëndrueshme pretendimet e Panelit se mos numërimi i këtyre fletëvotimeve të ardhura nga votuesit jashtë vendit nuk i konsideron objekt vlerësimi në këtë fazë të procesit zgjedhor”, ka vlerësuar Supremja.

“Lidhur me si më sipër, Gjykata Supreme konsideron se vendimi i PZAP-së duhet të anulohet, duke e kthyer çështjen në rivendosje. PZAP është i detyruar që në rishqyrtim të çështjes t’i mënjanoj të metat e lartpërmendura e pastaj të marrë një vendim të drejtë dhe të ligjshëm”, thuhet në Aktgjykim.