Foto: KALLXO.com

Gjykimi i Enver Sekiraqës, Arben Berisha rrëfen momentin si e vrau Triumf Rizën

Në rigjykimin e Enver Sekiraqës, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit të Kosovës, Triumf Rizës, ka dëshmuar Arben Berisha, personi i dënuar pë këtë vrasje.

Berisha tha se në jetë vetëm tri herë e ka takuar Triumf Rizën dhe se në të tri herët ka pasur probleme me të.

Në herën e tretë, Berisha e kishte vrarë Triumf Rizën.

Ai ka dhënë versionin e tij për ditën kur ka ndodhur incidenti tragjik.

“Në parking, rastësisht jam taku me tani të ndjerin në lagjen “Dardania”. Më ka fishkëlluar nga mbrapa, dhe jena taku qaty rastësisht. Unë jam ndalë. E ktheva kokën dhe e pashë që është Triumfi edhe u ndala qaty. Largësia ka qenë diku nja 20 metra, qashtu diçka” – filloi rrëfimin i dënuari për vrasjen.

Tutje, Berisha tha se i ishte afruar Triumfi dhe e kishte kapur për këmishe dhe e kishte sharë.

“Më shajti, *** çka po sillesh ti kësajde. Unë i thash lëshom çka po më maltreton sa herë që po më zatet ti në udhë. Është kthyer me shpinë nga një xhip i zi edhe u ndal m’ka shiqu… Tani Triumfi e ka çu dorën e djathtë e ka çu te ana e majtë e brezit, edhe kam menduar mos po don me nxjerr revolen dhe unë nga frika i pari e kam nxjerrë revolen e kam raportit dhe kam shtënë dy herë rafall në drejtim të tij”- tha dëshmitari para Gjykatës.

Berisha mohoi kategorikisht se ishte nxitur nga Sekiraqa apo ndokush nga familja e Sekiraqës që ta vriste Triumf Rizën.

“Mua nuk më ka nxitur askush me vra Triumf Rizën, mu më ka ndodhur rasti qysh e kam cekur më herët”- tha dëshmitari.

I njëjti tha që i akuzuari Enver Sekiraqa është i pafajshëm për këtë rast.

“Sa i përket Enver Sekiraqës ai është i pafajshëm”- shtoi tutje Berisha.

Dëshmitari mohoi se pranuar ndonjë shpërblim në shumën prej 50 mijë euro, apo ndërtimin e ndonjë shtëpie, ose përfitimin e ndonjë banese, si këmbim për të vrarë Rizën.

“Unë nuk kam folë me kërkon për kësi farë lloj shpërblimi, këto janë llafe t’kafeve, llafe te badihavxhinjve”- u shpreh Berisha.

Ndërsa reagim pati nga prindi i të ndjerit Triumf Riza, Shefqet Riza, i cili tha që i beson organeve të drejtësisë por jo edhe dëshmisë së dëshmitarit.

“Unë dëshmitarit nuk i besoj hiç për mua si familje ne e dim[ që nxitës i vrasjes së djalit tim është Enver Sekiraqa kurse ky e ka bërë me pagesë, ju besoj organeve të shtetërore, i besoj policisë e hetuesisë, prokurorisë i besoj organeve tona e jo gënjeshtrave të dushkut, nuk kam pyetje edhe bash me pasë nuk dua me i bo”- tha babai i Triumf Rizës.

Seanca në fund u mbyll me kërkesën e mbrojtëses së të akuzuarit Enver Sekiraqa, Kosovare Kelmendi, për të diskutuar lidhur me dëshmitarin e mbrojtur D2.

Enver Sekiraqa akuzohet se kishte nxitur Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës, vrasje që ndodhi më 30 gusht të vitit 2007.

Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007. Sipas Prokurorisë rasti kishte ndodhur pasi ai kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, dhe ishte duke shkuar në drejtim të makinës së tij dhe ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës, tre nga të cilët ishin vdekjeprurës për të.

Për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha si ekzekutor ishte dënuar me 35 vite burg. Në maj të vitit 2016, Gjykata e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 37 vjet burg Enver Sekiraqën ndërsa pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte kthyer çështjen në rigjykim.

Për të njëjtat akuza ai ishte dënuar edhe në vitin 2020 mirëpo çështja ishte kthyer edhe një herë në rigjykim.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com rreth këtij rasti mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.