I dënuari nga gjykata e shkallës së parë Enver Sekiraqa - FOTO KALLXO - 06.03.2020

Apeli kthen sërish në rigjykim rastin e Enver Sekiraqës

Gjykata e apelit ka kthyer në rigjykim rastin e të akuzuarit Enver Sekiraqa.

Kjo gjykatë ka njoftuar se ka aprovuar ankesën e palës mbrojtëse duke e kthyer në rigjykim rastin e të akuzuarit.

Sekiraqa muaj më parë ishte shpallur fajtor për veprën penale “ Shtytja në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë” me ç’rast ishte dënuar me dënim unik në kohëzgjatje prej 30 vite.

Gjykata e Prishtinës për herë të dytë e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën lidhur me akuzat për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza.

Kolegji prej tre gjyqtaresh i gjykatës së Apelit  ka gjetur se aktgjykimi i ankimuar është nxjerrë në kundërshtim më dispozitat e nenit 384  të Kodit të Procedurës Penale, kjo ngase gjykata e shkalles së parë nuk ka përfillur dispozitat që kanë të bëjnë me shqyrtimin gjyqësor.

Po ashtu sipas njoftimit të gjykatës së Apelit aktgjykimi i shkallës së parë është i pa qartë, i pa kuptueshëm dhe kontradiktor në brendinë e tij, dhe së është i bazuar në prova dhe dëshmi të cilat nuk janë administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Për këto dhe arsye tjera u vendos që çështja t’i kthehet edhe njëherë gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.

Kjo është hera e dytë që gjykata e Apelit e kthen këtë rast në rigjykim.

Në maj të vitit 2016, Gjykata e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 37 vjet burg Enver Sekiraqën ndërsa pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte kthyer çështjen në rigjykim.