Prokuroria kërkon paraburgim për dy të dyshuarit për rastin e grabitjes në Suharekë
Prokuroria e Prizrenit të dielën ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave, Albin Beqiri dhe Fatmir Tahiri, të cilët dyshohen për dhënie të ndihmës personave që kanë kryer grabitjen e armatosur në Suharekë më 22 nëntor.
Një polic i Kosovës është plagosur dhe një tjetër është lënduar gjatë përballjes me katër persona të maskuar dhe të armatosur që dyshohet se kanë kryer grabitjen në një argjendari në Suharekë.
Vlera e arit të grabitur nga katër të dyshuarit llogaritet të jetë mbi 200 mijë euro.
Në lidhje me këtë rast, dy të dyshuar janë arrestuar të shtunën dhe kanë dalë sot para Gjykatës së Prizrenit. Ndërkohë, një person tjetër është arrestuar në orët e para të mëngjesit të së dielës.
Prokurorja e Departamentit të Krimeve të Rënda, Ervehe Gashi, ka paraqitur kërkesën për paraburgim ndaj dy të pandehurve.
Prokurorja Gashi ka deklaruar se janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit.
Këtë masë e kundërshtuan Ruzhdi Berisha mbrojtës i të dyshuarit Albin Beqirit dhe Naim Kurtishi, mbrojtës i Fatmir Tahirit.
Në lidhje me paraburgimin gjykatësja e procedurës paraprake, Teuta Krusha do të marrë vendim.
Sipas kërkesës së Prokurorisë të pandehurit Albin Beqiri dhe Fatmir Tahiri me dashje ndihmojnë kryerësit e veprës penale të grabitjes, e cila ka ndodhur në Suharekë në argjendarinë “Diakos” më 22 nëntor 2023.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, i pandehuri Albin Beqiri duke prezantuar letërnjoftimin e tij në kompaninë “Ipko” në Mitrovicë blen 10 numra të telefonit për të pandehurin Fatmir Tahiri, të cilët numra të telefonit ia dorëzon të pandehurit Fatmir Tahiri.
Nga këto numra të telefonit, pikërisht numri i telefonit 049/xxx më 16 nëntor 2023 përdoret për t’u kontaktuar me pronarin e automjetit nga të cilit grabitësit e blejnë automjetin, i cili është i markës “Shervolet” dhe përdoret në Suharekë gjatë grabitjes së bërë.
Tutje thuhet se grabitësit nga aparati telefonik që e kanë përdorur këtë numër komunikojnë mes vete nga dy numra të telefonisë mobile “Ipko”, gjatë dhe menjëherë pas grabitjes, e me të gjitha këto veprime të pandehurit kanë pasur për qëllim fshehjen e identitetit të kryesve të veprës penale të grabitjes.
Me këtë, sipas Prokurorisë, kishin për të kryer veprën penale dhënia e ndihmës gjatë kryerjes së veprës penale të grabitjes.