Arkiv - Foto: KALLXO.com, Dardan Molliqaj

Prokuroria kërkon paraburgim për Dardan Molliqajn dhe Adem Megjuanin

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj dhe ndaj aktivistit të kësaj partie, Adem Megjuani.

Kështu ka thënë për KALLXO.com zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy (2) të ndaluarve, në drejtim të veprës penale ‘Sulmi ndaj personit zyrtar’”, ka thënë Ulaj për KALLXO.com.

Në anën tjetër, sekretari organizativ i PSD-së, Nol Nushi ka thënë se janë kërkuar 30 ditë paraburgim ndaj Molliqajt dhe Megjuanit.

“SKANDAL. Prokuroria e shtetit ka kërkuar 30 DITË PARABURGIM, për Dardanin e Ademin. Sikur te mos mjaftonte arrestimi me 60 policë, tash po duan t’i mbajnë mbyllur për 1 muaj. Kjo nuk ka asnjë logjike juridike prandaj është sjellje tipike e politike”, ka thënë Nushi.

Molliqaj dhe Megjuani janë arrestuar gjatë ditës së djeshme nga Policia e Kosovës.

Të njëjtit dyshohen se gjatë protestës së mbajtur më 29 janar të këtij viti kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike kanë sulmuar katër policë, ku sipas njoftimit të Policisë tre nga ta kanë pësuar lëndime trupore.

“Nga ana e protestuesve janë sulmuar katër zyrtarët policorë, ku tre prej tyre  kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor”, kishte thënë Policia.

Sipas njoftimit te Policisë, dy të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Molliqaj është arrestuar gjatë mbrëmjes së djeshme nga Njësitë Speciale të Policisë.

Arrestimi ka ndodhur te zyrat e emisionit Pressing të T7, ku ai do të merrte pjesë në një debat.

Ndërsa për arrestimin e Megjuanit ka njoftuar sekretari organizativ i PSD-së, Nol Nushi

Ai kishte thënë se Megjuani është arrestuar lidhur me incidentin që ndodhi në protestën kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike të shtunën e kaluar.

I njëjti kishe kërkuar që të lirohet aktivisti Megjuani.

Policia gjatë mbrëmjes së djeshme ka publikuar edhe vërtetimin që ia dërgoi Molliqaj, për t’u paraqitur në stacionin policor.

Sipas njoftimit të djeshëm të Policisë një publikim i tillë ishte bërë me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik.

“Policia e kishte kërkuar të dyshuarin në adresat e banimit dhe nuk e kishte hasur, të njëjtit i kishte lënë edhe një ftesë për paraqitje vullnetare por i dyshuari nuk e kishte përfillur”, kishte thënë Policia.

Për këto dy arrestime ka pasur reagime edhe nga PSD-ja.

Dren Kukaj në një konferencë të mbajtur mbrëmë në orën 23:00 ka thënë se fletarrestimi për Molliqajn është lëshuar pasi që ai është arrestuar nga Policia.

“Ajo që kemi kuptuar është se fletarresti është lëshuar pasi është realizuar operacioni policor, nëse nuk gaboj ka qenë 15 minuta pasi që ka shku në stacion policor që ka filluar të përpilohet dhe pastaj është lëshuar fletarresti”, kishte thënë Kukaj.