Prokuroria e cilëson të dhunshme vrasjen e 65-vjeçarit në Mitrovicë

Një person i moshës rreth 65-vjeçare është gjetur i vdekur dje brenda objektit të Shoqatës së Shurdhmemecëve në Mitrovicën e Jugut.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë në një komunikatë për media ka treguar se ai është vrarë dhe se vrasja e tij dyshohet se ka ndodhur me një mjetë të mprehtë.

“Vrasja është e dhunshme dhe sipas ekspertit mjeko-ligjor që ka dalë në vend ngjarje, dyshohet se ka ardhur si pasojë e disa goditjeve me një mjet të mprehtë” – thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore.

Tutje tregohet se prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka urdhëruar që trupi i viktimës të dërgohet për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

“Gjer më tani nuk ka të identifikuar persona të dyshuar për këtë rast, por prokurori i shtetit në koordinim me policinë janë duke zhvilluar hetime intensive në mënyrë që të identifikohet kryerësi i veprës penale “Vrasja”, me qëllim të arrestimit dhe vënies para drejtësisë” – thuhet tutje në reagimn e Prokurorisë së Shtetit.

Ngjarja është duke u hetuar edhe nga Policia si “Vrasje”.

“Bazuar në hetimet fillestare në vendin e ngjarjes si dhe ekzaminimet e kryera, me urdhër të prokurorit hetimet për rastin kanë nisur në drejtim të veprës penale vrasje”- ka njoftuar të martën Policia.

Vdekja e 65-vjeçarit në Mitrovicë, Policia ka nisur ta trajtojë rastin si vrasje