Drejtori i Policisë për arrestimin e serbit në Jarinjë: Ekziston lidhja e mundshme e tij me sulmin e datës 24 shtator

Një serb është arrestuar gjatë ditës së sotme në pikën kufitare në Jarinjë pasi ai po dyshohet për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës.

Ky rast është duke u trajtuar nga Prokuroria e Mitrovicës, por siç mëson KALLXO.com, për këtë rast është njoftuar edhe Prokuroria Speciale.

Lidhur me këtë rast, në një konferencë për media, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se ekziston lidhja e mundshme me ngjarjet e 24 shtatorit dhe grupin terrorist.

Tutje ai ka thënë se arrestimi i të dyshuarit është bërë në Jarinjë dhe se Policia ka kryer bastisje në pronën e tij.

“Është gjetur një armë dhe një sasi e municionit. Rasti është në proces, besoj që do të shkojë në paraburgim për 48 orë” – tha Hoxha.

Në këtë konferencë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë prezantuan dëshmi të reja e video-materiale që u nxorën nga dronët e grupit terrorist që kreu sulm në Banjskë, dhe të cilat, sipas tyre, dëshmojnë se autoritetet e Serbisë ishin në dijeni për ato që ndodhën një javë më parë.

Më 24 shtator 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Sekuestrimi i armëve të tjera po vazhdon që nga 24 shtatori, të cilat janë braktisur nga grupi terrorist në Banjskë dhe në zonën përreth.

Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Është ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe – Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.

Radoiçiq tha se të gjithë skenarin e kishte bërë vet dhe askujt nuk i kishte treguar. Këto pretendime i njëjti i bëri përmes një letre të cilën e lexoi të premten pasdite avokati i tij i autorizuar, Goran Petronijeviq.

Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.

Zhvillime të shumta pati që nga data e lartpërmendur. Në kufi me Kosovën, Serbia shtoi praninë e trupave ushtarake.

Mirëpo më 30 shtator 2023, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se “nuk e ka ndër mend ta urdhërojë ushtrinë” të kalojë kufirin me Kosovën dhe se do t’i tërheqë forcat serbe nga ajo pjesë, duke pretenduar se nuk është e vërtetë se Serbia po e dërgon ushtrinë në kufi.

“Vitin e kaluar kishim 14,000 njerëz pranë vijës administrative, sot kemi 7,500 dhe do ta reduktojmë në 4,000” – tha Vuçiq për “Financial Times”.

Më 29 shtator 2023, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bënë thirrje Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri, duke e quajtur zhvendosjen e tyre “zhvillim shumë destabilizues”.

E një ditë më pas, të shtunën, edhe Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Europian i kërkuan po ashtu Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri.