Presidenti Thaçi tani apelon që të gjithë t`i respektojnë masat anti COVID-19

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ditë më parë ishte parë duke mos i respektuar masat e qeverisë kundër përhapjes së pandemisë COVID-19, sot i është adresuar qytetarëve të vendit me një apel.

Presidenti Thaçi ka apeluar që të gjithë t`i respektojmë masat anti-COVID.

“Ndryshimi i mënyrës së jetesës dhe mbajtja e distancës fizike nga njerëzit e dashur, nga familja dhe shoqëria, nga vendet e punës, me masat e ndërmarra parandaluese, nuk ka qenë i lehtë për asnjë prej nesh. Kjo është kohë e rëndë për të gjithë! Por, sot është tejet e rëndësishme që të tregohemi të durueshëm dhe të përgjegjshëm, duke i respektuar të gjitha masat dhe rekomandimet që vijnë nga IKSHPK, OBSH dhe institucionet përgjegjëse”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.

“Sot, qytetari e përgjegjshme është ajo që njëri-tjetrit t’ia shprehim edhe dashurinë e respektin nga largësia. Sot, patriotizëm është që t’i ruajmë heronjtë tanë, gjithë personelin mjekësor që është në vijën e parë të frontit, duke e luftuar këtë pandemi. Sa më të kujdesshëm që tregohemi tani, aq më shpejtë do të mund t’i rikthehemi normalitetit. Kujdesuni për veten dhe të tjerët! HTH”, përfundon adresimi i presidentit të vendit drejtuar qytetarëve.