Presidenti Thaçi mungoi në seancën e Kuvendit për '22 vjetorin e Epopesë së UÇK'-së

Seanca e sotme solemne e Kuvendit të Kosovës për 22 vjetorin e Epopesë së UÇK-së.

Në këtë seancë, përveç përfaqësuesve të Kuvendit e Qeverisë, morën pjesë edhe anëtarë të familjes Jashari.

Mirëpo, në seancë nuk u pa presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Në kohën kur në Kuvend po mbahej seanca solemne, Thaçi ishte duke dhënë dekorata për ushtarët e UÇK-së.

Nga zyra e kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, thonë se ftesa i është dërguar, por që s’kanë marrë konfirmim nga presidenca.

“Natyrisht, e kemi ftuar, porse nuk ka ardhë. Nga e hëna, çdo ditë kemi kërkuar konfirmim të pjesëmarrjes së tij, porse nuk kemi marrë”, tha për KALLXO.com, këshilltari i kryeparlamentares, Bekim Kupina.

KALLXO.com ka provuar të marrë përgjigje edhe nga kabineti i zyrës së presidentit por ende nuk kemi marrë përgjigje për këtë.

Në manifestimin qendror për 22 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, po marrin pjesë Presidenti, Kryetarja e Kuvendit dhe Kryeministri.