Presidenti: Korrupsioni, kërcënim serioz për Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha sot se korrupsioni është një kërcënim serioz për Kosovën.

“Korrupsioni është një kërcënim serioz për vendin tonë por edhe për vendet e zhvilluara dhe për demokracinë, fenomeni i korrupsionit është shpallur sfidë globale. Dukuria e korrupsionit shkakton pasja në rrafshin e sigurisë. Si shtet i ri duhet të jemi pa kompromis në parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie”, tha ai në konferencën “Korrupsioni i nivelit të lartë”, të organizuar nga misioni i OSBE-së në Kosovë.

Thaçi shtoi se vendi ka miratuar ligje të mira në luftimin e korrupsionit.

“Në këtë drejtim Kosova ka marrë disa veprime me qëllim të respektimit të ligjit dhe respektimit të rendit kushtetues. Kosova ka miratuar legjislacion krahë për krahë me këtë fushë duke krijuar mekanizma institucional dhe ndërinstitucional për këtë qëllim”, tha presidenti.

Kryetari i vendit po ashtu tha se raporti i DASH-it për të Drejtat e Njeriut duhet të merret më seriozisht nga institucionet e Kosovës.

“Të gjitha ngecjet që i identifikojmë nga ndërkombëtarët duhet të merren parasysh dhe seriozisht nga institucionet e Kosovës dhe të punohet me dinamikë më të madhe në përmirësimin e tyre”, tha Thaçi.