Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Prek fundin gjykimi për ndarjen e pasurisë në mes të ish-bashkëshortëve

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seanca për ndarjen e pasurisë së ish-bashkëshortëve, N.A. dhe B.A.

Në seancën e sotme, i autorizuari i paditëses N.A., avokati Faik Sylejmani deklaroi se sa i përket plotësimit të ekspertizës së pranuar nuk kanë vërejtje dhe i dorëzoi Gjykatës parashtresën  për precizim të kërkesëpadisë.

“Gjykatës ia dorëzoj parashtresën për precizimin e kërkesëpadisë në kopje të mjaftueshme për palën ndërgjyqësoree vetëm me një plotësim, meqenëse në seancën e sotme pranuam plotësimin e ekspertizës sa i përket punëve të shtëpisë, ashtu që precizohet pika IV e petitumit të precizimit ashtu që në emër të kontributit për punët e amvisërisë duhet të jetë shuma prej 20,700.00 euro ndërsa pjesa tjetër mbetet e pandryshuar”, deklaroi ai.

I autorizuari i të paditurit B.A., avokati Betim Shala deklaroi se e kundërshtojnë tërësisht kërkesëpadinë, përkatësisht kërkesëpadinë e precizuar, me parashtresën e dorëzuar në seancën e sotme.

“Bazuar në të gjitha shkresat e lëndës, e posaçërisht bazuar në dy ekspertizat e kryera nga ana e ekspertit sipas vendimit të Gjykatës, konsiderojmë se në mënyrë të qartë është vërtetuar pasuria e përbashkët e palëve ndërgjyqësore”, deklaroi avokati Shala.

“Mbi bazën e kësaj dhe në bazë të vetë propozimit të të paditurit, ne kësaj Gjykate do ia dorëzojmë një deklaratë të të paditurit me shkrim, me të cilën ai heqë dorë në tërësi nga pjesa e tij e pasurisë së përbashkët, me qëllim të zgjidhjes së kësaj çështjeje kontestimore”, shtoi ai.

Pastaj i padituri i dorëzoi Gjykatës atë deklaratë.

Në vazhdim i autorizuari i të paditurit deklaroi se e kanë pranuar plotësimin e ekspertizës me të cilën është bërë llogaritja e kontributit të paditëses dhe nuk e kundërshtuan të njëjtën.

I autorizuari i paditëses tha se nuk e pranojnë deklaratën e pranuar në formë të shkruar.

“Nuk e pranojmë deklaratën të cilën e pranuam në formë të shkruar, ngase e njëjta është në disproporcion të thellë në mes të pasurisë së krijuar gjatë bashkësisë martesore”, tha ai.

“Po ashtu duke qenë se gjatë negociatave për zgjidhjen e kësaj çështjeje, me marrëveshje gjyqësore Gjykatës ia dorëzojmë dhe propozimin për ndarjen e pasurisë së përbashkët të datës 28 prill 2020, për të cilën i padituri përmes të autorizuarit të tij ka qenë i njoftuar dhe nuk kemi arritur që këtë çështje ta mbyllim me marrëveshje gjyqësore”, shtoi ai.

I njëjti i propozoi Gjykatës administrimin e provave.

“I propozoj Gjykatës administrimin e provave, ngase e gjithë pasuria duke përfshirë dhe qarkullimet bankare është rreth 1 milion euro. Si e tillë një deklaratë për arritjen e marrëveshjes nuk është reale me ndarjen proporcionale të pasurisë së krijuar dhe Gjykatës i dorëzoj deklaratën e datës 9 dhjetor 2020 të babait të paditëses R.K. e vërtetuar nga noterja Vizhdane Kuqi”, propozoi avokati Sylejmani.

Pas administrimit të provave nga Gjykata, i autorizuari i paditëses tha se ka vërejtje sa i përket aktvendimit të trashëgimisë të të paditurit dhe kontratave në mes të B.A. dhe F.A. dhe ekspertizën e ekspertit Riza Blakaj.

Kurse i autorizuari i të paditurit tha se ka vërejtje për deklaratën e të atit të paditëses.

“Sa i përket vërejtjeve të dhëna në administrimin e provave, për aktvendimin e trashëgimisë e kundërshtuam, ngase nuk ka objekt të trashëgimit përpos tjerash është pas shkurorëzimit. Kurse sa i përket kontratave të lidhura në mes të B.A. dhe F.A., të njëjtat janë fiktive ashtu që nuk korrespondojnë me objektin e trashëgimisë, nuk ka dëshmi të pagesave nga i padituri dhe asnjë provë nuk e argumenton se këto pasuri figurojnë në emër të të paditurit”, tha avokati Sylejmani.

I autorizuari i paditëses dhe i autorizuari i të paditurit dorëzuan fjalët e tyre përfundimtare.

Gjykata konstatoi se shqyrtimi gjyqësor në këtë çështje juridiko-civile konsiderohet i përfunduar dhe palët vendimin e Gjykatës do ta marrin në formë të shkruar.

Sipas padisë, paditësja N.A. dhe i padituri B.A., kanë lidhur martesë në vitin 1996, në Prishtinë. Nga ajo martesë kanë edhe dy fëmijë te moshës madhore. Mirëpo prej vitit 2016 rrethanat në mes bashkëshortëve kanë ndryshuar, duke e bërë jetën mes tyre të pamundur për çka dhe kanë paraqitur propozim në Gjykatën e Prishtinës për shkurorëzim.

Gjithnjë sipas padisë, paditësja ka pranuar pasuri të veçantë trashëgimi nga babai i saj në shumën prej 60 mijë marka gjermane (rreth 30 mijë euro në valutën e sotme), të cilat i ka investuar në blerjen e një lokali në Prishtinë konkretisht në rrugën “Kroi i Bardhë”. Ky lokal sipas aktpadisë është blerë në shumën prej 105,300 marka gjermane, nga të cilat 60,000 marka janë investuar nga pasuria e trashëguar nga babai i paditëses.

Tutje sipas padisë, N.A. e ka shitur një banesë te saj në Prizren, në rrugën “William Walker”, gjatë vitit 2012, në shumën prej 40,000 euro. Mjetet nga shitja e kësaj banese, sipas padisë, janë investuar nga paditësja për blerjen e një banese në Shëngjin të Shqipërisë në sipërfaqe prej 64 metra katrorë.

Më tej padia shpjegon se si paditësja dhe i padituri gjatë jetës se tyre bashkëshortore, afërsisht 20-vjeçare, kanë realizuar të hyra të përbashkëta kryesisht në blerjen e parcelave, banesave, bizneseve etj. Gjithashtu padia specifikon se si ish-bashkëshortët kanë investuar edhe në dy lokale të tjera që gjenden në Prishtinë njëri në sipërfaqe prej 28 metra katrorë, kurse tjetri prej 25 metra katrorë e që sipas paditëses edhe kjo pasuri është krijuar në kohën kur bashkëshortët kanë kontribuar bashkërisht në krijimin e pasurisë familjare.