Ilustrim

Portugalia ndalon shefat t'i dërgojnë mesazhe punëtorëve pas orarit të punës

Portugalia i ka ndaluar shefat që t’i dërgojnë mesazhe dhe emaile stafit jashtë orarit të punës, si pjesë e ligjeve të reja të quajtura “e drejta për pushim”.

Kjo lëvizje është pjesë e ndryshimeve që po bëhen për të përmirësuar ekuilibrin punë-jetë në përgjigje të një zgjerimi të punës nga shtëpia në vend, raporton BBC.

Kompanitë me më shumë se 10 punëtorë mund të përballen me gjoba nëse kontaktojnë punonjësit jashtë orarit të kontraktuar.

Ekzistojnë gjithashtu rregulla të reja për lejimin e stafit me fëmijë të punojnë nga distanca.

Prindërit do të lejohen të punojnë në shtëpi për një kohë të pacaktuar pa kërkuar miratimin paraprak nga punëdhënësit e tyre derisa fëmija i tyre të mbushë 8 vjeç.

Dhe kompanitë gjithashtu mund të duhet të kontribuojnë në pagesën e faturave shtëpiake kur ata punojnë nga shtëpia, të tilla si kostot e energjisë dhe internetit.

Përfshihen gjithashtu masa për të trajtuar izolimin që mund të ndjejnë punëtorët që punojnë nga distanca, me kompanitë që pritet të organizojnë takime të rregullta me prani fizike.

Megjithatë, disa elemente të paketës nuk u miratuan nga parlamenti i Portugalisë, duke përfshirë një “të drejtë për t’u shkëputur” që lejon personelin të fikë të gjitha pajisjet e punës jashtë orarit.

Ministrja e Punës dhe Sigurimeve Shoqërore e Portugalisë, Ana Mendes Godinho, tha në një konferencë në Lisbonë javën e kaluar se “puna prej shtëpisë mund të ndryshojë lojën”, por rritja e saj duhet të rregullohet.

Ajo gjithashtu shpresoi se rritja e mbrojtjes së punëtorëve do të tërhiqte më shumë të huaj në vend.

“Ne e konsiderojmë Portugalinë një nga vendet më të mira në botë për këta nomadë digjitalë dhe punëtorë të huaj për ta zgjedhur për të jetuar, ne duam t’i tërheqim ata në Portugali”, tha Godinho.

Portugalia tashmë ka një skemë të përkohshme të vizave për qëndrim e realizuar për të tërhequr sipërmarrësit dhe punëtorët. Ishulli portugez i Madeira ka një “fshat nomad digjital”, me internet falas dhe pajisje për tavolinë të zyreve.

Disa vende të tjera kanë futur të ashtuquajturat “viza nomade digjitale”, në krahasim me lejet standarde turistike, duke përfshirë Barbados dhe Kroacinë.