Hulumtimi i BIRN-it: Më pak se 5 për qind e punëtorëve janë të trajnuar për siguri në punë
Raporti i publikuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN, më 14 dhjetor të këtij viti, lidhur me të drejtat e punëtorëve shpërfaq të dhëna ndër të tjera edhe me numrin e punëtorëve të trajnuar në vend për punën që ata kryejnë.
Hulumtimi tregon se më pak se 5 për qind e punëtorëve janë të trajnuar për siguri në punë.
Trajnimi i punëtorëve është obligim që e parasheh Ligji për Siguri dhe Shëndet në Punë, të cilin duhet ta zbatojë secili punëdhënës për të punësuarit e tij.
BIRN-i në kuadër të hulumtimit, ka analizuar gjithsej 27 raste gjyqësore dhe 6 raste nga Inspektorati i Punës, në të cilën janë evdientuar shkelje nga ky ligj, ku punëtorët e aksidentuar nuk kanë mbajtur trajnimet e tyre sipas obligimit të lartpërmendur.
Në anën tjetër, nuk ka një regjistër të të dhënave nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve lidhur me numrin e kompanive të cilat janë të licensuara për të ofruar këto shërbime – trajnime për punonjësit.
Gjetjet e hulumtimit tregojnë se një numër i vogël i bizneseve gjatë viteve 2022-2023 kanë përmbushur vlerësimin e rrezikut në punë.
Lidhur me këto të dhëna, BIRN ka pranuar informata nga 5 kompani që e realizojnë këtë proces dhe ofrojnë trajnime nga lëmia e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Si rezultat, më pak se 20 mijë punonjës kanë ndjekur trajnimet e tyre.
Punëtorët e tjerë vazhdojnë të punojnë pa trajnime dhe vlerësim të rrezikut në punë.
Ngjashëm me këtë databazë mungon edhe një regjistër për numrin e punëtorëve të pajisur me certifikata shëndetësore.
Në raportet statistikore të Inspektoratit të Punës afër 20 për qind e punëtorëve të inspektuar nuk kanë kryer kontrolle shëndetësore para nënshkrimit të kontratave.
Kurse, të dhënat nga ky raport dokumentojnë se ekzekutivi dhe gjyqësori kanë bërë një zhvillim të vogël në adresimin e çështjeve lidhur me marrëdhënien e punës, veçanërisht tek siguria në punë pasi aksidentet me fatalitet në vend vazhdojnë të rriten.
“Gjatë viteve 2021 – 2023, 33 punëtorë kanë vdekur nga 763 aksidente në punë. Statistikat tregojnë që vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2023 kanë vdekur 9 punëtorë. Kjo tregon një rritje të rasteve të vdekjeve të punëtorëve si pasojë e aksidenteve në vendin e punës” – thuhet në raportin e publikuar më 14 dhjetor nga BIRN.
Nga rastet e analizuara nga gjyqësori, dënime të buta vërehen ndaj biznismenëve duke ‘shpëtuar” me dënime me gjobë, me kusht ose rastet e dënimit me burg janë zëvendësuar me gjobë.
Nga 32 dënime të shqiptuara, në 27 raste të analizuara gjyqësore në të cilat janë trajtuar aksidente në punë, vetëm 2 raste kanë qenë me burgim efektiv për shkelësit e ligjit.
Nga këto 27 raste, rezultojnë me ngecje serioze nga organet ndjekëse duke mos dorëzuar kallëzime penale me kohë, anashkalim të dëshmitarëve në vend të ngjarjes – vendpunishte, në vendin në të cilin punëtorët kishin marrë lëndime trupore, e në disa raste me pasoja të përhershme për shëndetin e tyre.
Gjatë këtyre dy viteve, BIRN ka pranuar mbi 300 raportime nga punëtorë dhe sinjalizues që denoncuan shkelje të të drejtave të punëtorëve.
Raportin “Viktimat e padrejtësisë” mund ta gjeni në këtë LINK.