Policia e Kosovës deklarohet për situatën në veri

Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim pas alarmit të lëshuar në komunat veriore të Kosovës, në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok ku qytetarë serbë kanë rrethuar me makineri dhe flamuj serbë hapësirat afër objekteve të komunave.

Policia e Kosovës ka thënë se forcat e rendit janë duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok,  për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse.

“Policia e Kosovës (PK), sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese po ndërmerr veprimet e saja policore në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend” – është thënë në njoftimin e PK-së.

Dje kryetarët e rinj të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut e kanë kryer ceremoninë e betimit jashtë objekteve të komunave, por në shkolla dhe zyra të komuniteteve.