Polici i dyshuar për dhunimin seksual të të miturës lirohet nga paraburgimi, i caktohet arresti shtëpiak

Gjykata e Gjakovës ka marrë sot vendim që policit nga Gjakova, E. S. t’i cakohet masa e arrestit shtëpiak si masë e sigurisë.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, i dyshuari në janar të vitit 2022 në shtëpinë e tij në Gjakovë me përdorimin e forcës ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën, e lindur në vitin 2006, me të cilën ishte njoftuar përmes rrjeteve sociale në vitin 2021 dhe më pas ka krijuar lidhje dashurie.

E. S. i ishte caktuar paraburgimi më 28 nëntor të këtij viti, e këtë paraburgim Gjykata Supreme e kishte vlerësuar veprim me shkelje esenciale të procedurës penale.

Këtë çështje, Supremja kishte kërkuar nga shkalla e parë që të vlerësohet dhe rivendoset.

Supremja në vendimin e saj kishte thënë nuk mjafton vetëm përshkrimi i dispozitës ligjore pa i elaboruar faktet dhe arsyet konkrete e specifike që mbështesin rreziqet e ikjes, përsëritjes së veprës e ndikimit në dëshmitarë.

Për këtë, sot, Gjykata e Gjakovës ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për vazhdimin e paraburgimit, duke e cilësuar këtë kërkesë si të pabazuar.

E. S. nga sot do të lirohet nga Qendra e Paraburgimit dhe do të dërgohet në shtëpinë e tij, e mbikëqyrja e tij do të bëhet nga Stacioni Policor i Gjakovës, deri më datë 27 janar të vitit 2024.

Gjykata me rastin e zëvendësimit të masës nga paraburgimi në arrest shtëpiak dha edhe arsyetimin e saj për këtë vendim.

Sipas gjykatës, prokuroria nuk ka bashkangjjitur prova konkrete me të cilat do ta bindte gjykatën se i pandehuri do të arratisej, ose do ta përsëriste veprën penale.

Këto pretendime të prokurorisë mbi këto rreziqe, gjykata e Gjakovës i ka vlerësuar si të pabazuara, dhe vlerësoi se arresti shtëpiak është masa e mjaftueshme për ta siguruar praninë e të pandehurit.

Gjykata ka analizuar pretendimet e prokurorisë se nëse i pandehuri gjendet në liri, i njëjti do të arratiset, ndërsa nuk i ka bashkangjitur ndonjë provë me të cilën do të bindte gjykatën se me të vërtetë i pandehuri ka tentuar të arratiset…” – thuhet në dosjen e gjykatës të siguruar nga KALLXO.com.

Tutje nga kjo dosje thuhet se me masën e arrestit shtëpiak konsiderohet se i pamundësohet që ai të ndikojë në dëshmitarë apo pengim në rrjedhë të procedurës.

Vendimin e Themelores në nëntor për caktimin e paraburgimit e kishte vërtetuar edhe Apeli, Departamenti për Krime të Rënda më 5 dhjetor.

Kolegji i Apelit, i cili e vërtetoi vendimin e shkallës së parë përbëhet nga Beqir Kalludra kryetar, me anëtarë Hashim Çollaku dhe Xhevdet Abazi.

Të dy këto vendime, u anuluan nga Supremja duke e kthyer rastin në pikën zero.

“Me miratimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtësit të të pandehurit E. S., anulohen aktvendimi i Gjykatës Themelore… dhe aktvendimi i Gjykatës së Apelit… dhe çështja i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rivendosje”- thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme, i marrë nga gjyqtarët Mejreme Memaj, kryetare, anëtarët Afrim Shala dhe Agim Maliqi.

Vendimi sot është marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake Sulltan Dobraj.

Çka thotë dosja e Prokurorisë për këtë rast?

Sipas dosjes së Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, i dyshuari në janar të vitit 2022 në shtëpinë e tij në Gjakovë me përdorimin e forcës ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën, e lindur në vitin 2006, me të cilën ishte njoftuar përmes rrjeteve sociale në vitin 2021 dhe më pas ka krijuar lidhje dashurie.

“Ndërsa në janarin e vitit 2022 edhe pse në dijeni për moshën e re të saj, ende pa i bërë gjashtëmbëdhjetë vjeç e merr dhe me të ka kryer marrëdhënie seksuale, ashtu që pas një kohe raportet mes tyre fillojnë të ftohen ndërsa në fundin e vitit 2022 të njëjtat ndërpriten, më pas sërish i njëjti ka kërkuar që e njëjta të jetë me të por për këtë e kishte njoftuar prindin e saj e të cilit i pandehuri i kishte premtuar se nuk do e pengoj më”- thuhet në dosje.

Më tej, gjithnjë sipas Prokurorisë, në nëntor të 2023-tës i pandehuri edhe pse në dijeni se e dëmtuara është në lidhje dashurie me një tjetër person, vazhdimisht i ka shkruar duke i kërkuar t’i kthehet lidhjes dhe vazhdon t’i shkruajë mesazhe, e thërret në telefon. Po ashtu, e shqetëson dhe ngacmon duke i dërguar incizime dhe fotografi se si e kanë pasur lidhjen. I pandehuri pretendohet se incizimet dhe fotografitë i ka dërguar edhe te personi tjetër.

Veprimet e të pandehurit, thuhet në dosje, të dëmtuarës i kanë shkaktuar shqetësim emocional.

“I pandehuri pavarësisht premtimit të mëhershëm të bërë prindit të saj që vajzën e juaj nuk do e shqetësoj, prap vazhdon të i shkruaj me SMS thirrje telefonike  e po ashtu duke e shqetësuar dhe ngacmuar edhe me dërgim të incizimeve dhe fotografive se si e kishin patur lidhjen ata dy, dërgesa këto tek personi i tjetër A.M, veprim këtë me qëllim kërkimi  që e dëmtuara e mitur me doemos të bëhet e tija me çka në këtë mënyrë me veprimin e tij të kundërligjshëm i ka shkaktuar të njëjtës dhe familjes së saj shqetësim të madh emocional”- thuhet në dosjen e siguruar nga KALLXO.com.

Mbi të pandehurin rëndojnë dyshimet për veprën penale të dhunimit dhe ngacmimit.