Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Detaje nga dosja e Prokurorisë së Gjakovës për policin e dyshuar për dhunimin e të miturës

Gjykata e Gjakovës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj zyrtarit policor, E.S., i cili po dyshohet për dy vepra penale – dhunim, dhe ngacmim.

Viktimë e policit pretendohet të jetë një vajzë e mitur.

Kallëzimi penal kundër policit E.S. është paraqitur nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, i dyshuari në janar të vitit 2022 në shtëpinë e tij në Gjakovë me përdorimin e forcës ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën, e lindur në vitin 2006, me të cilën ishte njoftuar përmes rrjeteve sociale në vitin 2021 dhe më pas ka krijuar lidhje dashurie.

“Ndërsa në janarin e vitit 2022 edhe pse në dijeni për moshën e re të saj, ende pa i bërë gjashtëmbëdhjetë vjeç e merr dhe me të ka kryer marrëdhënie seksuale, ashtu që pas një kohe raportet mes tyre fillojnë të ftohen ndërsa në fundin e vitit 2022 të njëjtat ndërpriten, më pas sërish i njëjti ka kërkuar që e njëjta të jetë me të por për këtë e kishte njoftuar prindin e saj e të cilit i pandehuri i kishte premtuar se nuk do e pengoj më”- thuhet në dosje.

Më tej, gjithnjë sipas Prokurorisë, në nëntor të 2023-tës i pandehuri edhe pse në dijeni se e dëmtuara është në lidhje dashurie me një tjetër person, vazhdimisht i ka shkruar duke i kërkuar t’i kthehet lidhjes dhe vazhdon t’i shkruajë mesazhe, e thërret në telefon. Po ashtu, e shqetëson dhe ngacmon duke i dërguar incizime dhe fotografi se si e kanë pasur lidhjen. I pandehuri pretendohet se incizimet dhe fotografitë i ka dërguar edhe te personi tjetër.

Veprimet e të pandehurit, thuhet në dosje, të dëmtuarës i kanë shkaktuar shqetësim emocional.

“I pandehuri pavarësisht premtimit të mëhershëm të bërë prindit të saj që vajzën e juaj nuk do e shqetësoj, prap vazhdon të i shkruaj me SMS thirrje telefonike  e po ashtu duke e shqetësuar dhe ngacmuar edhe me dërgim të incizimeve dhe fotografive se si e kishin patur lidhjen ata dy, dërgesa këto tek personi i tjetër A.M, veprim këtë me qëllim kërkimi  që e dëmtuara e mitur me doemos të bëhet e tija me çka në këtë mënyrë me veprimin e tij të kundërligjshëm i ka shkaktuar të njëjtës dhe familjes së saj shqetësim të madh emocional”- thuhet në dosjen e siguruar nga KALLXO.com.

Nga mbrojtja e të pandehurit është thënë se Prokuroria me kërkesë ka potencuar vetëm njërin nga kushtet e nevojshme për caktimin e masës së paraburgimit, atë lidhur me fshehjen apo arratisjen e E.S.

“Prokuroria në kërkesë ka potencuar vetëm njërin nga kushtet e nevojshme për caktimin e masës së paraburgimit dhe atë lidhur me rrezikun e fshehjes apo arratisjes së të pandehurit nga Kosova, apo frikën se do t’i fshehë, ndryshojë apo dëmtojë provat, mbi bazën e të cilës gjykata ka aprovuar masën e paraburgimit”- ka thënë për KALLXO.com avokati i E.S., Meshari Selimaj.

Avokati Selimaj ka thënë se vendimin për caktimin e paraburgimit do ta apelojë meqë, sipas tij, nuk ka bazë ligjore e as logjikë për ekzistimin e kushtit të rrezikut të fshehjes apo dëmtimit të provave.

“Ndërsa po e njëjta nuk ka dhënë sqarime për të treguar mënyrën se si do të fshiheshin, ndryshoheshin apo dëmtoheshin ato prova përderisa e njëjta ka theksuar se i posedon tashmë. Mbi këtë baze nuk ka logjikë për ekzistimin e këtij rreziku të dhënë, dhe kjo konsiston në caktimin e paraburgimit pa bazë ligjore, për çka vendimin do ta ankimojmë në afatin ligjor” – theksoi avokati.

Gjykata e Gjakovës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për zyrtarin policor E.S., i cili dyshohet se ka kryer dy vepra penale, atë të dhunimit dhe ngacmimit të të miturës.

Një muaj paraburgim për zyrtarin policor, i dyshuar për dhunimin e të miturës