Gjykata Supreme e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Supremja për paraburgimin e policit nga Gjakova të dyshuar për dhunim: Shkelje procedurale, pa prova dhe arsye konkrete

Policit nga Gjakova E.S, i dyshuar për dhunimin e një të miture, i ishte caktuar masa e paraburgimit nga Gjykata e Gjakovës më 28 nëntor të këtij viti.

Ndaj këtij vendimi kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit avokati i të dyshuarit, Meshari Selimaj.

Edhe Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar vendimin për paraburgim për klientin e tij.

Avokati i është drejtuar edhe Gjykatës Supreme, duke kërkuar heqjen e paraburgimit dhe caktimin e një mase më të lehtë.

Supremja e ka aprovuar kërkesën e avokatit.

Ajo ka vlerësuar se caktimi i kësaj mase është shoqëruar me shkelje esenciale të procedurës penale, e pa prova e arsye konkrete që do arsyetonin rrezikun e përsëritjes së veprës penale, ndikimit në dëshmitarë dhe rrezikut të ikjes.

Këto kushte ligjore, Supremja ka vlerësuar se nuk janë arsyetuar mjaftueshëm nga dy instancat më të ulëta.

Gjykata e Gjakovës kishte vendosur më 28 nëntor të këtij viti se E.S. duhet të mbahet në paraburgim.

Këtë vendim e ka vërtetuar edhe Apeli, Departamenti për Krime të Rënda më 5 dhjetor.

Kolegji i Apelit, i cili e vërtetoi vendimin e shkallës së parë përbëhet nga Beqir Kalludra kryetar, dhe anëtarë Hashim Çollaku dhe Xhevdet Abazi.

Gjykata Supreme ka vendosur ta kthejë këtë çështje në pikën zero sa i përket masës së paraburgimit.

“Me miratimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtësit  të të pandehurit E.S, anulohen aktvendimi i Gjykatës Themelore…dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit… dhe çështja i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rivendosje” – thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme, i marrë nga gjyqtarët Mejreme Memaj kryetare dhe anëtarët Afrim Shala dhe Agim Maliqi.

Sipas kësaj dosjeje, i pandehuri do të mbetet në paraburgim derisa të vendosë shkalla e parë me vendim të ri.

Gjatë ditës së nesërme pritet që të vendoset prapë për këtë çështje nga Gjykata e Gjakovës.

Gjykata Supreme ka udhëzuar shkallën e parë që t’i evitojë shkeljet e theksuara dhe në arsyetim duhet të japë arsye konkrete, për dyshimin e bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale, përshkrimin e provave konkrete që mbështesin kushtet ligjore.

Kjo Gjykatë në aktgjykimin e saj ka vlerësuar se nuk mjafton vetëm përshkrimi i dispozitës ligjore pa i elaboruar faktet dhe arsyet konkrete e specifike që mbështesin rreziqet e lartpërmendura.

Kallëzimi penal kundër policit E.S. ishte paraqitur nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Çka thotë dosja e Prokurorisë për këtë rast?

Sipas dosjes së Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, i dyshuari në janar të vitit 2022 në shtëpinë e tij në Gjakovë me përdorimin e forcës ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën, e lindur në vitin 2006, me të cilën ishte njoftuar përmes rrjeteve sociale në vitin 2021 dhe më pas ka krijuar lidhje dashurie.

“Ndërsa në janarin e vitit 2022 edhe pse në dijeni për moshën e re të saj, ende pa i bërë gjashtëmbëdhjetë vjeç e merr dhe me të ka kryer marrëdhënie seksuale, ashtu që pas një kohe raportet mes tyre fillojnë të ftohen ndërsa në fundin e vitit 2022 të njëjtat ndërpriten, më pas sërish i njëjti ka kërkuar që e njëjta të jetë me të por për këtë e kishte njoftuar prindin e saj e të cilit i pandehuri i kishte premtuar se nuk do e pengoj më”- thuhet në dosje.

Më tej, gjithnjë sipas Prokurorisë, në nëntor të 2023-tës i pandehuri edhe pse në dijeni se e dëmtuara është në lidhje dashurie me një tjetër person, vazhdimisht i ka shkruar duke i kërkuar t’i kthehet lidhjes dhe vazhdon t’i shkruajë mesazhe, e thërret në telefon. Po ashtu, e shqetëson dhe ngacmon duke i dërguar incizime dhe fotografi se si e kanë pasur lidhjen. I pandehuri pretendohet se incizimet dhe fotografitë i ka dërguar edhe te personi tjetër.

Veprimet e të pandehurit, thuhet në dosje, të dëmtuarës i kanë shkaktuar shqetësim emocional.

“I pandehuri pavarësisht premtimit të mëhershëm të bërë prindit të saj që vajzën e juaj nuk do e shqetësoj, prap vazhdon të i shkruaj me SMS thirrje telefonike  e po ashtu duke e shqetësuar dhe ngacmuar edhe me dërgim të incizimeve dhe fotografive se si e kishin patur lidhjen ata dy, dërgesa këto tek personi i tjetër A.M, veprim këtë me qëllim kërkimi  që e dëmtuara e mitur me doemos të bëhet e tija me çka në këtë mënyrë me veprimin e tij të kundërligjshëm i ka shkaktuar të njëjtës dhe familjes së saj shqetësim të madh emocional”- thuhet në dosjen e siguruar nga KALLXO.com.

Mbi të pandehurin rëndojnë dyshimet për veprën penale të dhunimit dhe ngacmimit.