Pezullimi i certifikatës së biznesit të Klan Kosovës, reagon Bordi i RTK-së

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka kërkuar që të respektohet afati kohor për ankimim në rastin e pezullimit të certifikatës së biznesit për televizionin Klan Kosova.

Të mërkurën, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka marrë vendim që të pezulloj certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” Sh.P.K.

“Ju bëjmë thirrje institucioneve që të respektojnë procedurat dhe të drejtën e ankimimit, duke u angazhuar për të sqaruar situatën ligjore dhe administrative dhe për të bërë ndryshimet e nevojshme në përputhje me procedurat dhe legjislacionin e zbatueshëm në Kosovë” – thuhet në reagimin e Bordit të RTK-së.

Gjithashtu, bordi inkurajoi Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) të pres përfundimin e procesit ankimor në organet përgjegjëse.

Në fund, bordi tha se punonjësit e Klan Kosovës duhet të vazhdojnë punën e tyre me përkushtim, duke mbajtur parasysh misionin e tyre në informimin e publikut në mënyrë objektive dhe profesionale.

“Bordi gjithashtu vlerëson lartë lirinë e mediave dhe lirinë e shprehjes si një ndër themelet kyçe të demokracisë” – thuhet në fund të reagimit.

Që nga pezullimi i certifikatës së biznesit për televizionin Klan Kosova, shumë reagime kanë shkuar në adresë të ministrisë që drejtohet nga Rozeta Hadani.

Së fundmi, ka reaguar edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Reagon BE: Të shqetësuar për pezullimin e licencës së Klan Kosovës