Ministria e Industrisë pezullon certifikatën e Klan Kosova SHPK

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka marrë vendim që të pezulloj certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” Sh.P.K.

Ministria ka njoftuar ka iniciuar kallëzim penal ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

“Sipas të dhënave të shpërfaqura nga i gjithë procesi i regjistrimit e më pas transaksioneve tjera të shitblerjes së Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, rezultojnë dyshime serioze të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga zyrtarë të ARBK-së, por edhe dyshime për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike nga persona përgjegjës të kompanisë”- thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim thuhet se për vendimin e ARBK-së, është ftuar në takim dhe është njoftuar pala, përkatësisht pronari i Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK.

MINT tutje ka njoftuar se ka dorëzuar në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës kallëzim penal në mënyrë që e vërteta rreth kësaj çështjeje të vërtetohet në proces gjyqësor dhe keqpërdoruesit potencial të përgjigjen para organeve të drejtësisë sipas normativave ligjore në fuqi.

Në lidhje me këtë rast, pas pak kohe ka reaguar edhe Televizioni Klan Kosova.

Ata e kanë quajtur këtë veprim si të padrejtë, arbitrar dhe me premisa autokratike, i pabazuar në ligj, dhe tentim i shkeljes së lirisë së medias.

“Klan Kosova asnjëherë nuk ka pasur rastin as të japë shpjegime çfarëdo në institucionet e shtetit lidhur pretendimet e ministrisë, të cilat sipas tyre kanë rrjedhur nga një shkrim spekulativ nga një portal online, vetëm një ditë më parë” – thuhet në reagim.

Shënim: Artikulli është edituar në ora 21:00, pas publikimit të reagimit të Klan Kosovës në lidhje me vendimin e MINT.