Tomas Szunyog

Peticioni për shkarkimin e kryetarëve në veri, deklarohet ambasadori i BE-së

Ambasadori i Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog ka reaguar në lidhje me mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq që janë mbajtur më 17 janar.

Ambasadori Szunyog shprehet i kënaqur për mundësinë e ofruar ndaj serbëve në Kosovë që t’i mbledhin këto nënshkrime.

“I kënaqur të shoh se serbët në Kosovë përdorin të drejtën e tyre demokratike të dhuruar nga korniza ligjore e Kosovës dhe kanë filluar mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme për peticionin për tërheqjen e kryetarëve në Mitorvicën e Veriut dhe në Leposaviq” – ka shkruar ambasadori Szunyog, në platformën X.

Përveç kësaj, ai ka bërë thirrje që mbledhja e nënshkrimeve të vazhdojë edhe në komunat tjera, Zubin Potok dhe Zveçan.

“Iu bëj thirrje autoriteteve të Kosovës në nivel qendror dhe lokal që të sigurojnë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe t’i lejojnë grupet e qytetarëve të inicojnë mbledhjen e nënshkrimeve gjithashtu në Zubin Potok dhe në Zveçan” – ka thënë Szunyog.

Szunyog konsideron se mbajtja e shpejtë e zgjedhjeve të parakohshme lokale në veri të Kosovës me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës është vendimtare.

Më 17 janar duke filluar nga mëngjesi, dhjetra qytetarë kanë marrë pjesë në nënshkrimin e peticioneve për shkarkimin e kryetarëve në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq.

Drejt nënshkrimit të këtij peticioni në Mitrovicë të Veriut, më saktë në një sallë sportive, qytetarët u prinë nga krerë e ish-krerë të Listës Serbe. Nga ish-kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, Igor Simiq, ish- kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq. 

Goran Rakiq, i cili para ngjarjes në Banjskë të Zveçanit mbante postin e të parit të Listës Serbe, nuk ka thënë shumë për këtë peticion dhe pritjet e tij për vazhdimin e procesit. 

“Interesimin a po e shihni, qytetarët e kanë organizuar dhe ne presim që peticioni të dalë i suksesshëm”- ka thënë Rakiq për KALLXO.com. 

Brenda hapësirave të sallës sportive të gjithë qytetarët kanë nënshkruar me dokumente identifikuese të Republikës së Kosovës, ndërsa edhe peticioni ishte me logo të Kosovës.

Ata që tentuan të nënshkruanin me dokumente të Serbisë nuk lejoheshin të vazhdonin procesin pa mjet identifikues tjetër. 

Ndërsa, në Leposaviq komuna nuk kishte dhënë leje që nënshkrimi i peticionit të bëhej në sallë sportive por që u kishte lejuar grupit iniciator të vendosnin një tendë përballë komunës. 

Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi në një intervistë për KALLXO.com tha se ishte vetë qeveria që i lejoi këtë mundësi qytetarëve në veri të vendit për shkarkimin e kryetarëve aktual. 

Hetemi ka thënë se e ka përfunduar misionin e tij, që është shtrirja e sovranitetit në komunat në veri të vendit. 

Tutje ai deri sa ka folur për nënshkrimin e peticionit për shkarkimin e tij, ka deklaruar se nuk do të kandidoj në zgjedhjet e ardhshme.

3 mijë e 640 nënshkrime duhet që të evidentohen në peticion për të nisur procesi i shkarkimit të kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq. 

Për dallim nga Mitrovica e Veriut, në Leposaviq duhet të mblidhen 2 mijë e 691 nënshkrime për të filluar procesi për shkarkimin e kryetarit Lulzim Hetemi.