Pesë punëtore të RTK-së kërkojnë të ndalet gjuha kërcënuese dhe seksiste e bordit të mediumit publik

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës përmes një komunikate që e lëshoi të mërkuren i quajti “sulme të grupeve të interesit” denoncimet për diskriminim gjinor në mediumin publik.

Lidhur me këtë deklarim të bordit kanë reaguar të tri kallxueset që rrëfyen për diskriminimin në RTK, Ilire Zajmi, udhëheqëse e Qendrës së Aftësimit Profesional, Flora Durmishi, redaktore e kulturës në Radio Kosovë dhe Mihrije Beiqi, menaxhere për legjislacion në RTK, të cilat në procese meritokratike të konkursit u përzgjodhën të merrnin pozicione udhëheqëse në RTK por nuk u lejuan t’i marrin ato pozita.

Ilire Zajmi deklaratën e sotme të bordit e quajti stigmatizuese dhe bullizuese.

“Si një e punësuar në transmetuesin publik që nga themelimi, komunikatën e sotme të Bordit të RTK-së për fushatë nga grupe të ndryshme të interesit, e quaj stigmatizuese dhe bullizuese” – ka thënë Zajmi për KALLXO.com.

Ndërsa, Flora Durmishi në një deklarim për KALLXO.com është shprehur se bordi po tejkalon kompetencat që ka si dhe është pa fjalë për gjërat që po dëgjon.

“Bordi i RTK-së duhet urgjentisht të ndalojë këtë gjuhë kërcënuese ndaj punëtorëve, e të merret me punët për çka edhe paguhet. Ku janë këto “grupe interesi”? Ku po i shohin?” – tha Durmishi, e habitur me këtë deklaratë të bordit.

Mihrije Beiqi, e cila po ashtu kishte qenë pjesë e hulumtimit “Radio Televizioni i Burrave”, ku foli për diskriminimin gjinor brenda RTK-së, tha: “Kjo e kalon çdo kufi, pas publikimit të hulumtimit që e fakton diskriminimin që ju është bërë grave në RTK që kanë dalë të parat në konkurse, pas publikimit të deklaratës së (Besnik Boletinit) për miniqa e pizhama për punëtorë të RTK-së, tash ne punëtorët qenkemi pjesë e “grupeve të interest”. Kjo shkon përtej çdo logjike që pritet prej një trupi të përzgjedhur për të drejtuar, e jo shtrembëruar RTK-në”.

Jo të gjithë anëtarët e bordit të RTK-së e kishin aprovuar deklaratën e lëshuar të mërkuren që aludon se, prapa kritikave ndaj bordit të RTK-së qëndrojnë “grupe të interesit”.

Mes tjerash, sjelljen e bordit të RTK-së e sfiduan edhe profesionistet e tjera që punojnë në RTK.

Fitore Rexhepi, moderatore në RTK, i replikoi Besnik Boletinit, kryetarit të bordit, lidhur me situatën e krijuar pas deklarimeve të tij që punëtorët në RTK vijnë me “miniqa dhe pizhama” në punë.

“Si gazetare e RTK-së për 20 vite, jam jashtëzakonisht e shqetësuar, por edhe e mllefosur me gjuhën e përdorur në (këtë) mbledhje të bordit… Edhe nëse ka njerëz që vijnë ju flasin me këtë gjuhë seksiste, dera juaj do të duhej të ishte e mbyllur, jo të diskutohej në mbledhje të bordit. Si grua dhe gazetare, nënë e dy vajzave, nuk e pranoj një gjuhë të tillë ofenduese seksiste” – tha Rexhepi.

Rexhepi madje i akuzoi gratë në bord që lejojnë deklarata të tilla të dalin pa u dënuar.

“Sot jam shumë e zhgënjyer, sidomos me gratë në bord, të cilat e kanë tejkaluar këtë deklaratë si asgjë… Kjo e fundit e ka tejkaluar çdo limit personal e profesional” – tha ajo kur e kishte fjalën për deklaratën për “pizhama dhe miniqa”.

Një person tjetër që kishte qenë prezente kur ishte thënë deklarata e famshme seksiste për “miniqa dhe pizhama” ishte Albana Murseli, nënkryetarja e Sindikatës së Pavarur të RTK-së.

Ajo ka treguar se nuk është këtu fjala fare për grupe të interesit sepse Besnik Boletini me gojën e vet kishte komentuar për “miniqa dhe pizhama”.

“Unë e kam dëgju Besnik Boletinin kur ka thënë “po vijnë punëtorët me pizhama e miniqa…”, rreth 15 minuta bisedë është bërë vetëm për pizhama, miniqa si dhe tesha fitnesi!” – ka thënë ajo.

Pas kësaj deklarate të Boletinit për “pizhame e miniqa”, sindikatat e punëtorëve të RTK-së kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve në një peticion përmes të cilit kërkohet dorëheqja e kryesuesit të bordit.

Sindikatat kanë njoftuar se peticioni ka mbledhur mbi 300 nënshkrime, që nënkupton se gati 50 për qind e punëtorëve të RTK-së janë për shkarkimin e kryetarit të bordit të RTK-së.

Deklaratën lidhur me “miniqa e pizhama” Boletini e kishte bërë në kontekstin që ta arsyetojë kërkesën për raporte të punës për atë që ai dyshonte se punëtorë në RTK vijnë të klikojnë me kartela që shënojnë hyrjen e daljen e punëtorëve për të dëshmuar që kinse kanë ardhur në punë, e në fakt nuk kryejnë punë, gjë për të cilën ai kishte kërkuar të praktikohen raporte të punës.

Flora Durmishi, redaktore në RTK, tha që raportet e punës janë ashtu-kështu praktikë në RTK.

“Raportet mujore janë bërë gjithmonë. Dihet saktësisht kush çka punon. Nuk e ka “shpikur” ky bord raportimin! Jam pa fjalë çka po dëgjoj e po shoh”- tha Durmishi.

Ilire Zajmi po ashtu shtoi se rrëfimi i saj për padrejtësitë që i kishin ndodhur nuk ka të bëjë me kurrfarë grupe të interest. Ajo madje nuk ishte as anëtare e ndonjë sindikate që do të mund ta kishte shtyrë të bëjë denoncimin por e kishte përjetuar diskriminimin personalisht dhe e kishte faktuar këtë padrejtësi që i ishte bërë kur kishte aplikuar për pozitën e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm në RTK.

“Distancohem nga kjo deklaratë pasi jam një e punësuar në RTK, e cila ka denoncuar dhe sinjalizuar kohë më parë publikisht një padrejtësi që më është bërë, diskriminim gjinor për një pozitë të lartë menaxheriale” – tha Zajmi për Kallxo.com.

Fjala është për hulumtimin “Radio Televizioni i Burrave”, të cilin Kallxo.com e ka botuar më 1 shtator, ku tregohet se si tri profesioniste të cilat në procese meritokratike të konkursit u përzgjodhën të merrnin pozicione udhëheqëse në RTK por nuk u lejuan t’i marrin ato pozita.

Rrëfimet ekskluzive të tri punëtoreve në hulumtimin e Kallxo.com tregojnë për prapaskenat, negociatat, thirrjet në zyra e takimet që synuan t’i bindnin ato të tërhiqeshin nga gara për pozita udheheqëse në RTK.

Dëshmitë konfirmojnë se drejtori i bordit, Besnik Boletini, e Shkumbin Ahmetxhekaj, diskutuan me kandidatet gjatë procesit të rekrutimit dhe vendimmarrjes. Përfundimisht, ato që u zgjodhën të parat në konkurset fillestare nuk u emëruan në pozita të larta menaxhuese në RTK.

Pas publikimit të hulumtimit, Rrjeti i Grave të Kosovës  ka mbështetur Ilire Zajmin, Mihrije Beiqin e Flora Durmishin, të cilat kanë rrëfyer përvojat e tyre në konkurset e RTK-së.

“Ne duam të mbështesim këto gra dhe të gjitha gratë që kanë synime për pozita vendimmarrëse të qëndrojnë të forta dhe të mos dorëzohen nga presionet që mund të iu behën dhe përmes rrugës ligjore t’i fitojnë të drejtat e tyre”- kanë deklaruar nga Rrjeti i Grave të Kosovës.

Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane, ka reaguar duke thene se në RTK ka gra që mund të jenë në pozita të larta menaxheriale, por sipas tij, atyre nuk u vjen rendi që të zgjidhen. Muharremi ka thënë se në institucione publike duhet t’u krijohet më shumë hapësirë grave.

Derisa, kryeshefja e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, ka thënë për KALLXO.com se me Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi, Ilire Zajmi, Flora Durimishi dhe Mihrije Beiqi kanë të drejtë të ngrenë padi.

“Me Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi të tri kandidatet kanë të drejtë të ngrisin padi për diskriminim deri në 5 vite pasi ka ndodh diskriminimi dhe në momentin kur e kanë kuptuar që ka ndodhë diskriminimi. Duke u bazuar vetëm në hulumtimin tuaj fitohet përshtypja se diskriminimi ka ndodhur në të tri rastet, andaj që të tri kandidatet kanë rast të pastër për gjykatë themelore, ku njëra veç e paska ushtru këtë të drejtë”- ka thënë kryeshefja ekzekutive e Agjenicë për Barazi Gjinore.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Doarsa Kica Xhelili e ka quajtur paradoksale faktin që bordi i RTK-së “nuk po e përfill formulën gjinore dhe ligjore me të cilën është zgjedhur vet”.

“Të gjithë ata anëtarë janë plotësisht të vetëdijshëm që gjatë procesit të emërimit të tyre jemi ballafaquar me kritika e rezistencë që ta bëjmë një hap shtesë për arritjen e barazisë faktike gjinore. Dhjetëra shigjeta u patën kthyer nga ne pikërisht për këtë. E gjithë ajo betejë nuk u bë që Bordi t’i harroj parimet bazë mbi të cilat është zgjedhur, e që ishin meritokracia, evitimi i plotë i ndërhyrjeve politike dhe barazia gjinore” – ka thënë deputetja.

Mimoza Kusari- Lila, kryetare e grupit parlamentar të Vetëvendosjes ka deklaruar se detajet e proceseve që përshkruhen në hulumtim “…nuk i kam pasë, në fakt, asnjëra nga kandidatet nuk na ka kontaktu (të paktën mua jo dhe tjerët rreth meje), për ndonjë parregullësi”.

“Më vjen keq nëse nisma aq shumë e synuar për barazi (gjinore në bord) po dështon në RTK (nëse komfirmohen këto ndërhyrje), por natyrisht që përmes Komisionit funksional do t’i përcjelli prej së afërmi këto procese”, tha Kusari- Lila për Kallxo.com më 2 shtator, një ditë pasi që u publikua hulumtimi.

Tri partitë opzitare LDK, PDK dhe AAK po ashtu kanë reaguar.

Arben Gashi, kryetar i grupit parlamentar të LDK-së tha që “ky pushtet është shndërruar në pushtet diskriminues. Rasti i diskriminimit të grave për pozitat vendimmarrëse në RTK është në vazhdën e sjelljes diskriminuese të këtij pushteti”.

“Diskriminimi që iu bë këtyre grave profesioniste, meritore dhe shumë të suksesshme është i papranueshëm dhe i dënueshëm, andaj duhet të kemi qasje përbashkuese në ballafaqim me këtë padrejtësi të madhe pushtetare”, tha Gashi për Kallxo më 4 shtator.

Në anën tjetër, Abelard Tahiri, kryetar i grupit parlamentar të PDK-së dhe Eliza Hoxha, deputete që ngrit çështje të të drejtave të njeriut dërguan një deklaratë të përbashkët në Kallxo.com më 5 shtator duke thënë që është “për keqardhje të shohësh në vazhdimësi presionin politik dhe diktimin që bëhet në proceset e zgjedhjes në pozitat drejtuese të institucioneve publike, në këtë rast RTK-së”.

“Një qeveri që ka marr 67% të votës së gruas në Kosovë, një qeveri që flet gjithë ditën për barazi e respektim të ligjit për barazi gjinore për proceset perzgjedhëse e shohim çdo ditë duke e bërë të kundërtën”, shtuan Tahiri dhe Hoxha.

Edhe dy pjesëtare të Vetëvendosjes që ishin njëra gazetare dhe tjetra aktiviste e të drejtave të grave para se të hyjnë në parti, reaguan lidhur me këtë hulumtim.

Tinka Kurti, tash udhëheqëse e grupit të grave në parlamentin e Kosovës nga rradhët e Vetëvendosjes dhe dikur gazetare tha se “asnjë ankesë nga këto gra nuk ka ardhur në Kuvend. Ato janë të afta dhe të zonja për t’i mbrojtur të drejtat e tyre nëse ka pasur ndonjë parregullsi”.

“Unë sigurisht që jam mbrapa për t’i përkrahur nëse ka parregullsi gjinore ose të ndonjë natyre tjetër”, tha Kurti më 5 shtator për Kallxo.com.

Ndërsa Nazlie Bala, ish aktiviste e tash këshilltare politike në Ministri të Drejtësisë tha se:“Kemi gra të zonja dhe profesioniste të dëshmuara në punë dhe kudo. Kur kemi të bëjmë me vendimarrje dhe punësimin e grave.