Paralajmërohet bojkot i mësimit në UP, kërkohet përjashtimi i profesorit Xhevat Krasniqit

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe Lëvizja Feministe Studentore ka paralajmëruar bojkot dhe bllokim të procesit mësimor në Universitetin e Prishtinës, ditën e enjte më 11.04.2024.

Përmes një letre të hapur drejtuar Këshillit të Etikës dhe Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, Kolektivi ka kërkuar përjashtimin e profesorit Xhevat Krasniqi, i cili u denoncua për ngacmim seksual nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë.

Në letër thuhet Kolektivi është në dijeni se të enjten, Këshilli i Etikës do të mblidhet për të marrë vendim lidhur me këtë rast.

“Paçka se ky rast i raportimit në grup është i paprecedentë dhe paraqet alarmim për shtrirjen pandemike të ngacmimeve seksuale brenda UP-së, çfarë kemi parë nga UP-ja këto javë, jep indikacione të qarta se ju si trupa vazhdoni të aminstoni dhe rrjedhimisht normalizoni krimet seksuale brenda universitetit” – thuhet më tej në këtë letër.

Aktivistët thonë se “nuk do të tolerojnë që ky rast të kalojë pa përjashtim të profesorit ngacmues, Xhevat Krasniqi.”

“Letra jonë vjen edhe si njoftim që ne tashmë kemi filluar të mobilizojmë grevë dhe bojkot të procesit mësimor ditën e enjte në të gjitha Fakultetet e UP-së nga radhët e studenteve/ëve, profesoreve/ëve dhe stafit administrativ dhe teknik” – thonë ata.

Ky bojkot, thuhet se po bëhet edhe krahas mobilizimit për vazhdim dhe masovizim të protestave të nisura tashmë nga Lëvizja Feministe Studentore si kundërpërgjigje e siç thonë ata animit të Këshillit e Rektoratit në mbështetje të ngacmuesve seksualë brenda UP-së.

“Ne ju paralajmërojmë që ne nuk do të qëndrojmë të qeta/ë dhe nuk do të tërhiqemi përderisa nuk ka përjashtim të Krasniqit dhe garantim të sigurisë për studentet dhe studentët e UP-së. Përkundrazi, ne do ta vazhdojmë rezistencën dhe kërkesën tonë për siguri dhe drejtësi për çdo studente dhe student të universitetit” – thuhet ne fund të letrës.

Këshilli i Etikës u mblodh për të diskutuar këtë rast vetëm pesë javë pasi denoncimit të studenteve më 04.04.2024. Lëvizja Feministe Studentore ka mbajtur disa protesta tërëditore para Rektoratit duke kërkuar shkarkimin e Krasniqit.

Edhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka reaguar duke thënë se rastet e pretenduara paraqesin shqetësim po aq sa edhe sipas saj janë dëshmi se në UP janë krijuar kushtet e domosdoshme për raportim dhe që secili pjesëtar i stafit akademik “të udhëhiqen nga prirja, detyrimi dhe domosdoshmëria e pakontestueshme e respektimit të kodit të etikës”.

Teuta, Shpresa dhe Era janë tri vajza që në kushte anonimiteti rrefyen për ngacmimet seksuale që Xhevat Krasniqi, profesor i matematikës, pretendohet se iu kishte bërë atyre derisa studionin në degën e Farmacisë në Universitetin e Prishtinës .

Përveç këtyre trijave në Kallxo Përnimë me 7.04.2024 rrëfyen edhe 3 djem që kishin qenë dëshmitarë të këtyre ngacmimeve seksuale që ju kishin bërë vajzave gjatë një viti në 2022 dhe 2023. Kjo është hera e parë që djemtë në Kosovë dalin publikisht të flasin për ngacmimet që u janë shkaktuar kolegeve të tyre.

“Profesori në fjalë ka fillu duke dhënë komente seksuale gjatë orëve të ligjëratave edhe ushtrimeve. Edhe duke marrë si shembull gjithmonë femrën, na është drejtu të gjitha kolegeve që jemi kanë aty se ‘Femrën kur e mbulon me jorgan i humb bukuria’, ‘Dallimi mes femrës dhe perdes’. Mandej ka pas raste ku ka thënë ‘Femrat e Istogut janë më të bukurat’, ku edhe i ka shiku koleget e mia që kanë qenë nga Istogu”- ka deklaruar ‘Teuta’, e cila zgjodhi të flasë në kushte anonimitetit nën frikën se nëse e shpërfaqë identitetin e saj, do të përballet me më shumë ngacmime.

‘Teuta’ që pretendon se është ballafaquar me fjalë ngacmuese nga Krasniqi, datën 14.02.2023 ka thënë se nuk e harron kurrë sepse sipas saj, ka qenë dita kur asnjëherë nuk është ndier më keq. Pikënisja e kësaj ditë kishin qenë rezultatet e provimit kur profesori Krasniqi e kishte rrëzuar atë nga provimi për 0.05 pikë.

Në konsutime me gojë, siç ka thënë studentja, Krasniqi i kishte thënë se është “i drejtë në vlerësim” duke iu drejtuar edhe me fjalët se “kur të duash të bëjë masazhë”, fjalë të cilat i kishte pasuar edhe një demonstrim duke tentuar “të përqafojë studenten”.

Pesë javë pasi denoncimit të studenteve ndaj profesorit të Shkencave të Matematikës, Xhevat Krasniqi për ngacmim seksual, më 04.042024 u mbodh Këshilli i Etikës së Universitetit të Prishtinës.

Në këtë mbledhje u paraqit edhe vetë Krasniqi, ani pse me gjithë insistimin e Jeta Xharrës, refuzoi të përgjigjet lidhur me pretendimet ndaj tij.

Në emisionin KallxoPërnime, Xharra tregon se çka thuhej në deklarimin 45-minutësh të Krasniqit para Këshillit.

“Nga ajo se çka u dëgjua në atë mbledhje, Këshilli i Etikës as nuk e quante ngacmim seksual, por vetëm ngacmim dhe se shumë pak u morën me fjalët që i kanë shkruar 27 studentet që e denoncuan Krasniqin.”

Sipas Xharrës, e cila e ka dëgjuar deklarimin e tij, profesori nuk është pyetur për çështjen e masazhit dhe se shumica e kohës ishte koncentuar në mënyrën se si Krasniqi e bën vlerësimin.

Megjithatë, ai e ka pranuar se e mundëson komunikimin me telefon dhe është pyetur në lidhje me organizimin e provimeve porse nuk është pyetur se përse e mbanë derën mbyllur kur i mbanë konsultimet.

Në fjalën përfundimtare, ai ka kontestuar 27 nënshkrimet e studenteve, duke thënë se në atë listë ka studente prej viteve tjera. Kryesisht, vija e mbrojtjes së tij ishte se për shkak që është i vështirë në vlerësim, ai shantazhohet nga studentët.

Lidhur me pretendimet e disa studenteve se janë ngacmuar seksualisht nga profesori i rregullt i UP-së, Fakulteti i Mjekësisë thotë se fillimisht është informuar gojarisht. Kurse, denoncimin me shkrim studentet e Fakultetit të Mjekësisë e kishin dorëzuar zyrtarisht më 27.02.2024 në Fakultet.

Krasniqi ende figuron si profesor i rregullt në Fakultetin e Edukimit, ku i mëson gjeneratat e ardhshme të mësuesvëve në Kosovë. Krasniqin e kanë përjashtuar nga Fakulteti i Mjekësisë dhe tash farmacistave të ardhshëm i jep mësim një profesor tjetër i matematikës.

Pas denoncimit të studenteve, i gjithë menaxhmenti i Mjekësisë, dekan e prodekan, janë mbledhur më 04.03.2024, me ç’rast kanë ftuar edhe profesorin Krasniqi për t’ia kumtuar me gojë denoncimin e studenteve ndaj tij dhe ndërprerjen e bashkëpunimit me të.

Fakulteti i Mjekësisë e ka konfirmuar se profesori Krasniqi ka qenë i angazhuar në këtë Fakultet përafërsisht nga viti akademik 2016/2017, ku ka ligjëruar lëndën e matematikës në programin e Farmacisë.

Sipas Fakultetit të Mjekësisë, Krasniqi nuk e ka pranuar se i ka ngacmuar seksualisht studentet.

Në vend të profesorit Krasniqi, në FM është angazhuar një profesor tjetër i matematikës nga Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore.

 

Rrëfimi i studenteve të UP-së për profesorin e denoncuar për ngacmime seksuale