Me protestë gjithëditore kërkohet shkarkimi i profesorit të denoncuar për ngacmim seksual

Lëvizja Feministe Studentore në Universitetin e Prishtinës, më 03.04.2024, po mban protestë gjithëditore prej orës 08:00 deri në ora 16:00.

Kërkesë e kësaj lëvizjeje është shkarkimi i profesorit Xhevat Krasniqi- i denoncuar për ngacmim seksual, njëherësh edhe shkarkimi i Këshillit të Etikës.

“Janë bërë një muaj prej kur 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë kanë denoncuar profesorin Xhevat Krasniqi për ngacmim seksual. Nuk ka ende ndonjë reagim zyrtar. Në rregulloren për mbrojtje dhe parandalim të ngacmimit seksual thuhet se Këshilli i Etikës e ka për obligim me i intervistu palët brenda 5 ditësh. Ata tek javën e kaluar janë mbledh për me e shqyrtu rastin për herë të parë”, deklaroi Anita Mjeku, protestuese.

E, studenti Bleron Bega thotë se ngacmimi seksual është bërë dukuri.

“Nuk është vetëm lajm por edhe dukuri që e dëmton procesin e mësimit. Si student dhe aktivist mendoj që njerëzit e tillë duhet me u përjashtu nga Universiteti dhe mos me pas vend këtu. Kanë qenë evidente rastet kur ne kemi vërejtë raste të ngacmimit seksual nga profesorët”, deklaroi Bega.

Në shkurt të vitit 2024, 27 studente thuhet se dorëzuan ankesë për ngacmim seksual nga profesori Xhevat Krasniqi.

Më 27.03.2024 nga Fakulteti i Mjeksisë kanë deklaruar se Krasniqi i ka mohuar akuzat ndaj tij.

Kallxo.com tentoi kontaktin me profesorin Xhevat Krasniqi më 03.04.2024 por ai nuk ishte i qasshëm në telefon.

Dyshimet për ngacmim seksual në UP, Fakulteti i Mjekësisë: Xhevat Krasniqi nuk është më pjesë e stafit

Studentët e UP-së kërkojnë përjashtimin e profesorit që dyshohet se ngacmoi 27 studente të Mjekësisë