Për herë të pestë radhazi dështon të mbahet seanca në rastin 'Veteranët', mungoi i akuzuari Shukri Buja

Një vit e gjysmë që kur Apeli e ka kthyer lëndën në rigjykim e akoma asnjë seancë nuk është mbajtur në rastin e njohur si “Veteranët”.

Të akuzuar  në këtë çështje janë Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari,

Këta po akuzohen se në cilësinë e antarëve të Komisionit Qeveritar për verifikimin e statusit të veteranëve të UÇK -së ua kanë mundësuar dhe njohur personave të tjerë që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së.

Pasi që gjykata e shkallës së parë i kishte liruar të lartcekurit nga akuzat, Apeli me 24 mars të vitit 2022 e kishte kthyer çështjen në rigjykim.

Seanca e parë e rigjykimit ishte e paraparë të mbahej sot, por që e njëjta dështoi të mbahej pasi që në sallë nuk ishte prezent i akuzuari Shukri Buja.

Gazmend Bahtiri, kryetari i trupit gjykues, ka paralajmëruar se do të lëshojë urdhër për sjellje me detyrim për të siguruar prezencën e Bujës në gjykim.

Ndërkaq kjo nuk është hera e parë që seancat e caktuara në këtë rast nuk arrijnë të mbahen.

Seanca e fundit e paraparë të mbahej me 18 shtator ishte anuluar për shkak të udhëtimit zyrtar të Prokurorit.

Po ashtu edhe seanca e 15 qershorit të këtij viti ka dështuar të mbahet pasi që pesë prej të akuzuarve nuk kishin angazhuar avokat.

Halitjaga, Buja, Daku, Fazliu e Jashari paraprakisht nuk kishin angazhuar mbrojtës ashtu siç parashihet me kodin e ri të procedurës penale që mbrojta është e detyrueshme për veprat penale të dënueshme me mbi pesë vite burgim.

Në këtë seancë po ashtu kishte munguar edhe avokati Skender Musa, mbrojtësi i të akuzuarit Fadil Shurdhaj.

Paraprakisht seanca ishte paraparë të mbahej me 15 mars të këtij viti, por që edhe kjo ishte anuluar me kërkesë të Prokurorit të rastit.

I njëjti kishte kërkuar nga Gjykata kohë shtesë për plotësimin e aktakuzës. s

Kështu, edhe me 16 dhjetor të vitit që shkoi seanca kishte dështuar të mbahej për shkak të mungesës së të akuzuarve Faik Fazliu dhe Smajl Elezaj.

Trupi gjykues në këtë rast është në përbërje prej kryetarit – Gazmend Bahtiri dhe anëtarët Ngadhnjim Arrni dhe Kushtrim Shyti.

Ndërkaq Prokurorinë e përfaqëson Prokurori Special –  Valdet Gashi.

Prokuroria Speciale që nga viti 2018 po i akuzon 12 persona, në krye me Agim Çekun për keqpërdorim të detyrës gjatë kohës që ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit – Veteranit.

Agim Çeku dhe të tjerët akuzohen se gjatë kohës kur kanë qenë anëtarë të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, në mënyrë të qëllimtë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe i kanë keqpërdorur të njëjtat në mënyrë që të tjerëve t`u sjellin përfitim pasuror.

Gjithnjë sipas aktakuzës, anëtarët e Komisionit duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë komisioni ua kanë mundësuar dhe njohur personave të tjerë që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së.

Rasti kishte ngjallur shumë debate në publik pasi prokurori i cili e kishte hetuar dosjen e veteranëve ishte larguar nga Kosova.

Menjëherë pas lirimit të 12 të akuzuarve, ish-prokurori Elez Blakaj kishte reaguar duke e konsideruar si të qëllimshëm lirimin e tyre pasi sipas tij nuk ishin administruar as gjysma e provave.

“Ashtu siç pritej edhe ndodhi! Në një proces gjyqësor ku publiku nuk ka parë e dëgjuar as 1% te provave materiale, duke e deformuar qëllimisht dhe në vazhdimësi rastin, e me avokat me “përvojë të jashtëzakonshme ushtarake” pothuajse nga të gjitha anët, rezultati nuk mund të ishte ndryshe” – kishte shkruar Blakaj.