Naim Ismajli, PDK

PDK reagon për Fabrikën e nënprodukteve shtazore, kërkon hetim nga organet e Drejtësisë

“KallxoPërnime” ka publikuar një hulumtim, në dy vazhdime, më 16.05.2025, në të cilat shpërfaqi pronësinë e Kompanive që fituan Kontratën për funksionalizmin e Fabrikës për përpunimin e mbetjeve shtazore dhe hulumtimin e dytë më 25.05.2025, ku u zbuluan prapaskenat rreth vendimmarrjes për dhënien në shfrytëzim të kësaj Fabrike.

Sot, më 26.05.2025, Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar mbi atë të cilin e ka quajtur “skandal milionësh” në Ministrinë e Bujqësisë.

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Naim Ismajli ka thënë se Fabrika është dhënë me qira pa ankand publik për Kompaninë “LIP KS & IT SH.P.K.” për 20 vjet.

Ismajli, në një Konferencë për media, akuzoi ministrin Peci se ka shkelur Ligjin për Pronën Publike, ku parashihet që pronat publike të jepen me qira vetëm përmes ankandit publik dhe atë jo më shumë se për 15 vjet, përveç në rastet kur merret Vendim në Kuvend.

“Ministria e Bujqësisë nën drejtimin e ministrit Faton Peci dhe me aprovimin e kryeministrit Albin Kurti ka finalizuar një ndër Marrëveshjet më të dëmshme dhe skandaloze për interesin publik: dhënien me qira të një impianti publik me vlerë mbi 10 milionë euro për vetëm 30 mijë euro në vjet, për një periudhë 20-vjeçare, ndërkohë që Kompania përfituese përfiton subvencione mbi 3.2 milionë euro në vjet.” – tha ai para gazetarëve, më 26.05.2025.

Sipas Ismajlit Kompania përfituese është regjistruar vetëm 5 ditë pas shpalljes dhe nuk përmbush asnjë nga kriteret ligjore për përvojën teknike e financiare të kërkuar në dokumentin e Njoftimit, si dhe pronari i saj është i lidhur me tri Kompani të tjera pa ndonjë përvojë në fushën e përpunimit të nënprodukteve shtazore.

“Kompania është shpërblyer me Fabrikën publike me të gjitha pajisjet moderne: 6 kamionë të mëdhenj, gjeneratorë, cisterna gazi etj., subvencionim vjetor prej 3.2 milionë euro, i garantuar pa konkurrencë, për 20 vjet, gjithsej 64 milionë euro para publike. E gjithë kjo është realizuar pa respektuar as Udhëzimin Administrativ Nr.04/2025, Neni 15, Pika 2, që rregullon subvencionimin për përpunimin e nënprodukteve shtazore dhe Rregulloren (QRK) Nr. 03/2025 për dhënien me qira të pronës publike, ku kërkohet përshkrim i pronës, çmim fillestar, kriteret e pjesëmarrjes dhe transparencë në shpallje.” – thuhet në komunikatën për media të PDK-së.

“Kryeministri Kurti ka legjitimuar një proces tërësisht të paligjshëm me Vendimin e tij, më 09.01.2025 (Nr. 01/242), që vetëm sa ka legalizuar pas shpine një Marrëveshje të përgatitur paraprakisht në shkelje të Ligjit, duke e vendosur veten në rolin e mbështetësit të një Marrëveshjeje që është e pavlefshme ligjërisht sipas Nenit 17 Paragrafit 8 të Ligjit për Pronën Publike.” – tha ai.

PDK kërkon nga organet kompetente hetimin e ministrit Peci dhe zyrtarëve të AUV-it për përfshirje në “keqpërdorim detyre” dhe “shpërdorim të pasurisë publike”, si dhe shfuqizimin e menjëhershëm të Kontratës dhe kthimin e pronës publike nën administrim të ligjshëm.

“Kjo nuk është më vetëm paaftësi administrative, keqmenaxhim e keqpërdorim i detyrës zyrtare, kjo është plaçkitje e organizuar dhe kapje e pastër e shtetit në favor të një grupi të vogël me lidhje të dyshimta.” – theksoi Ismajli.

Hulumtimin e plotë të “KallxoPernime” mund ta lexoni duke klikuar këtu.

Hulumtim: Dosja e mbetjeve shtazore 

Prapaskenat për fabrikën e mbetjeve shtazore: Subvencionet u parashikuan 7 muaj para se të nënshkruhej kontrata