Tahiri i PDK-së: Në legjislaturën e fundit, LVV ka votuar nënkryetarin nga Lista Serbe

Akuzat për bllokimin e Kuvendit dhe raportet me Listën Serbe u bënë pjesë e përplasjes mes përfaqësuesve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) gjatë debatit për funksionimin e legjislaturës së kaluar.

Në emisionin “Debat Përnime” përfaqësuesi i PDK-së, Arian Tahiri, kundërshtoi pretendimet e LVV-së se opozita kishte qenë përgjegjëse për bllokimin e Kuvendit, duke thënë se krizat politike ishin prodhuar nga vetë partia në pushtet.

“E para çdo herë po e promovoni si bllokues subjektet opozitare, bllokuese. E din rrethanën se në çfarë rrethane kemi qenë, kemi qenë në rrethanë krejtësisht normale. Rrethanën jonormale e keni bërë ju, ju keni qenë ata që në vazhdimësi keni shku duke prodhu kriza. Pse nuk e keni zgjedhë kryetaren e Kuvendit? Pse keni bërë drama 37 herë, 40 herë, me Albulena Haxhiun? Herën e fundit e qitni Dimal Bashën. Pse s’e keni qitë herën e dytë Dimal Bashën ose dikë tjetër? Ju e keni prodhu dhe e keni pru situatën që ka qenë.” – tha Tahiri.

Ai kritikoi gjithashtu procedimin e ligjeve me procedurë të përshpejtuar, duke thënë se projektligjet e rëndësishme duhet të kalojnë në debat publik dhe procedura të rregullta parlamentare.

“Qysh është e mundshme një ligj kaq të rëndësishëm me e pru në procedurë të përshpejtuar? Pse mos me pasë diskutim publik? Pse mos me u trajtu në afatin kohor brenda mundësive qysh parashihet me ligj edhe me rregullore. Pse secilin ligj të rëndësishëm duhet me e pru në afat të përshpejtuar për dy ditë me u miratu ligji. Jo mo, duhet me u njoftu opinioni, duhet me pasë diskutim publik. Pra çka kemi kërkuar, kemi kërkuar çështje, angazhim profesional.” – deklaroi ai.

Duke folur për raportet me Listën Serbe, Tahiri akuzoi Vetëvendosjen për standarde të dyfishta në qëndrimet e saj politike.

“Me ndryshu keni ndryshu ju. Ju nuk e keni votu nënkryetarin e Listës Serbe në legjislaturën paraprake, ndërsa në legjislaturën e fundit e keni votu, nga dy duar i keni çu, pra keni ndryshuar ju. Keni bërë shumë politikë me Listën Serbe, ndërsa nuk është që s’keni pasur koordinim, flasim edhe për koordinim.” – tha Tahiri.

Në anën tjetër, përfaqësuesja e LVV-së, Arbërie Nagavci, mbrojti qëndrimin e partisë së saj dhe akuzoi opozitën për bllokimin e proceseve parlamentare.

Ajo tha se arsyeja pse ligjet kanë ardhë me procedurë të përshpejtuar është sepse shteti nuk mund të mbahet në bllokadë.

“Arsyeja pse ligjet kanë ardhë me procedurë të përshpejtuar është sepse shteti nuk mund të mbahet në bllokadë. Edhe sot që flasim ne kemi një Qeveri në detyrë që merr vendime për interes të qytetarëve dhe në këtë pikë shumica e projektligjeve kanë qenë projektligje që janë rikthyer. Ligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, tre vjet e keni vonuar. Dy herë e keni dërguar në Gjykatë Kushtetuese.” – theksoi ajo.

Nagavci hodhi poshtë akuzat për krijim të krizave politike, duke thënë se LVV-ja ka qenë transparente në qëndrimet e saj dhe se procedurat e përshpejtuara janë përdorur për shkak të bllokadave në Kuvend.

“Lëvizja Vetëvendosje as nuk bën drama e as nuk krijon skenarë. Ne jemi gjithmonë transparentë, të hapur edhe të qartë në qëndrimet tona. Zonjën Albulena Haxhiu, të cilin një vit nuk e votuat në Kuvend, e votuat pas një viti. Pra edhe sot që flasim, zonja Haxhiu është në detyrën e kryetares së Kuvendit. Ju është dashur një bllokim njëvjeçar që të vijnë përsëri në të njëjtën situatë.” – deklaroi Nagavci.

Nagavci tutje tha se në bllokimin e projekteve të Qeverisë kanë vepruar bashkë PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe.

www.kallxo.com