PDK: Qeveria të mos dezertojë por të marrë përgjegjësi në menaxhimin e COVID-19

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci ka kritikuar qeverinë e Kosovës në menaxhimin e situatës me COVID-19 duke thënë se një krizë e tillë është shëndrruar në tragjedi njerëzore.

“Shifrat e rasteve të vdekjeve dhe të infektimeve janë alarmante. Ato po shtohen nga dita në ditë me një shpejtësi të frikshme. Pasojat po bëhen edhe më të rënda. Kriza po thellohet dhe tashmë ajo është shndërruar në tragjedi njerëzore. Vetëm në 12 ditët e fundit kemi pasur 24 mijë e 115 raste të reja infektimi dhe 136 humbje jetësh”, tha Stavileci.

Ai shtoi se ekzekutivi nuk po tregohet transparent sa i përket sasisë së vaksinave kundër COVID-19.

“Nuk ka termine të lira për vaksinim dhe nuk ka fare transparencë për sasinë e vaksinave. Gjatë tërë pranverës dhe verës ka pasur vaksinime të pakta. Me muaj të tërë të kaluar e askush dhe asgjë nuk është menaxhuar. Vija e parë e frontit kundër pandemisë, mjekët, infermierët dhe i tërë personeli shëndetësor janë të stërngarkuar e të stërlodhur, por ata janë lënë të vetëm e në distancë nga një qeveri e cila arriti ta disenjojë krizën më të madhe shëndetësore dhe kollapsin e krejt sistemit shëndetësor. Dhe, për ironinë më të madhe të fatit të tyre, jo që u ndihmoi, por i ofendoi me nga 2 euro në ditë”, tha ai.

Stavileci e quajti dezertuese qeverinë e Kosovës në menaxhimin e situatës me COVID-19.

“Prandaj, kjo qeveri, duhet të marrë përgjegjësinë që i takon, të menaxhojë pandeminë, sepse shëndeti i qytetarëve është më i rëndësishëm se pushteti i qeveritarëve. Vaksinimi i merituar është më i drejtë se shtrëngimi i imponuar. Thjesht nuk na duhet dezertim, por menaxhim”, tha Stavileci.