PDK e dërgon në Kushtetuese Ligjin për Byronë Shtetërore për konfiskim të pasurisë

Partia Demokratike e Kosovës ka dërguar Ligjin për Byronë Shtetërore për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme në Gjykatën Kushtetuese, për vlerësim të kushtetutshmërisë.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com avokati i grupit parlamentar të PDK-së, Faton Fetahu.

“Mund të konfirmoj që e kemi dërguar brenda afatit kushtetues dhe ligjor, vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Byronë Shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme” – tha Fetahu.

Ai tha se shprehet i bindur që Gjykata Kushtetuese do të anulojë në tërësi ligjin duke e shpallur të pavlefshëm dhe jokushtetues.

“Jemi të bindur se pushteti do të marrë një leksion të fuqishëm nga Gjykata Kushtetuese, duke anuluar në tërësi këtë ligj, duke e shpallë të pavlefshëm dhe jokushtetues në raport me shumë segmente kushtetuese, veçanërisht me garancionet kushtetuese të te Drejtave të Njeriut”- tha Fetahu pwr KALLXO.com.

Në fillim të këtij muaji, deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Me miratimin e këtij ligji krijohet mekanizmi për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme pa pasur nevojë për një dosje penale që ka përfunduar me një dënim nga gjykata.

Subjekt verifikimi i pasurisë do të jenë të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë nëse ekzistojnë dyshime se ajo pasuri është fituar kundërligjshëm.

Ligji përfshin një shtrirje me të gjerë për shkak se verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do bëhet edhe për anëtarët e familjes së tyre dhe palëve të treta, pra personat te të cilët dyshohet se është bartur pasuria e zyrtarëve publikë.

Autoritet kompetent do të jetë Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Avokati i PDK-së, Faton Fetahu i cili edhe paraprakisht kishte qenë kundër një ligji të tillë, në emisionin “KallxoPernime”, kishte shprehur se Projektligji në atë kohë, për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme do të amnistonte kriminelët.

“Ky Projektligj i amniston kriminelët, sepse nëse dikush ka fitu pasuri të pajustifikueshme ai do të amnistohet nga përgjegjësia e tij penale”, ka thënë ai.

Tutje ai pati shtuar se nëse një person i caktuar nuk ka një procedurë penale me të cilën ai do të shpallej fajtor, ai është i amnistuar.