Ilustrim

Miratohet Ligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ligji ka marrë përkrahjen e 66 deputetëve për miratim.

Lidhja Demokratike i ka dhënë mbështetjen këtij ligji, duke theksuar që i njëjti nuk do të merret me ata që mezi mbijetojnë por me ata që drejtësia i ka harruar.

“Byroja le të bëhet, lë të konfiskojë por të sigurohemi të gjithë bashkërisht që nuk do të politizohet, që nuk do të merret me ata që mezi mbijetojnë me remitanca, por të merret pikërisht me profile të nivelit të lartë, qysh e kemi thënë në fillim, me ata që drejtësia i harroi. Vota jonë është për” – është shprehur Doarsa- Kica Xhelili nga LDK-ja.

Ndërkaq, deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Hajdar Beqa tha se beson që PDK-ja do ta dërgojë ligjin në Gjykatë Kushtetuese dhe pas vendimit të Kushtetueses do të ndërmarrin veprimet që të bëjnë një ligj në harmonizimin me Kushtetutën e Kosovës.

Me 58 vota për dhe tre abstenime, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar në parim projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, në korrik të këtij viti.

Në shkurt të këtij viti ishte shtyrë votimi i këtij projektligji për një afat të pacaktuar, deri në kthimin e një përgjigje nga Komisioni i Venecias.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i ishte drejtuar këtij Komisioni me kërkesë të opozitës.

Në muajin maj, i pari i Kuvendit kishte pritur në takim përfaqësues të Komisionit të Venecias ndërsa në korrik filloi nga pika zero diskutimi për këtë projektligj.