Zotimet e Hamzës për shëndetësinë: Barna falas, spitale të reja dhe sigurime shëndetësore
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për kryeministër i kësaj partie, Bedri Hamza, më 02.06.2026, në një konferencë për media prezantoi zotimin e tretë elektoral të përbërë nga disa pika të cilat në qendër kanë shëndetësinë.
Ai tha se shteti nuk është privilegj dhe nuk matet nga premtimet që bëhen por nga kujdesi që tregon për qytetarët kur ata kanë nevojë më së shumti.
Pikat e zotimit të tretë të cilat Hamza i shpalosi para mediave kanë të bëjnë me zbatimin e sigurimit shëndetësor “në mënyrë që familjet të mbrohen nga shpenzimet e papërballueshme dhe askush të mos mbetet pa trajtim për arsye financiare”.
Hamza u zotua se PDK do të sigurojë furnizim të rregullt me barna esenciale dhe barna falas për pacientët me sëmundje kronike, mbështetjen e prodhimit vendor farmaceutik për më shumë siguri në furnizim dhe më shumë vende pune.
Ai gjithashtu tha se do të krijojnë Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore me qëllim që reagimi në raste emergjente të jetë më i shpejtë dhe efikas, si dhe u zotua se do e zbatojnë programin kombëtar për kancerin përmes diagnostifikimit të hershëm, skrinning-ut dhe trajtimit sipas standardeve europiane.
Po ashtu, ai u zotua për investime në Qendrën Klinike Universitare si dhe për ndërtimin e spitalit të Prishtinës dhe spitalit të ri të Mitrovicës.
Në zotimin e tretë të tij parashihet edhe modernizimi i disa strukturave shëndetësore dhe digjitalizimi, me ç’rast ai tha se do i modernizojnë spitalet ekzistuese dhe do të investojnë në teknologji dhe pajisje moderne diagnostifikuese, me qëllim që qytetarët të mos presin me muaj për ekzaminime.
Ndër tjera, ai u zotua se do ta afrojnë shëndetësinë te qytetari përmes mjekësisë mobile, veçanërisht në zonat rurale dhe zonat e larta, si dhe do të krijojnë qendra moderne të rehabilitimit dhe kujdesit të specializuar për pacientët që kanë nevojë për trajtim afatgjatë.
Hamza u zotua se do e digjitalizojnë sistemin shëndetësor me dosje elektronike, termine online dhe shërbime më të shpejta për qytetarët, ndërsa premtoi edhe shumë projekte të tjera të cilat do t’i mbrojnë qytetarët nga kostot e larta të trajtimit shëndetësor.
Qendrën Kombëtare për Trajtimin e Varësive, Hamza tha se do e themelojnë për të ndihmuar njerëzit dhe familjet që sot përballen me këtë problem pasi sipas tij në Kosovë po bëhet çdo ditë e më rëndë.
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, e vlerësoi shëndetësinë si investim e jo shpenzim.
“Shëndetësia nuk është shpenzim. Shëndetësia është investim. Investim në jetën e njerëzve, investim në dinjitet, investim në të ardhmen e Kosovës. Sepse siç e kam dëshirë të them unë, shëndetësia mbi të gjitha është edhe ekonomi, sepse një popull i shëndoshë është edhe një ekonomi e shëndoshë” – tha Hamza.
Sa i përket sigurimeve shëndetësore, ai tha se duhet të ketë përkrahje nga buxheti derisa të krijohen fondet.
Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 07.06.2026, pasi që Kuvendi dështoi ta zgjedh Presidentin e vendit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Fushata ka filluar më 28.05.2026 ndërsa pritet të zgjas deri në hapjen e vendvotimeve në ditën e zgjedhjeve më 07.06.2026.
Lista e votuesve përbëhet nga 2 milionë e 92 mijë e 174 votues derisa në këtë listë janë 15 mijë e 884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme që janë mbajtur më 28.12.2025.
Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 qendra të votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime.
Procesi zgjedhor jashtë vendit përveç votimit me postë do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 17 ambasada dhe 13 konsullata, me gjithsej 47 vendvotime.
Sllogani i zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit është “Kosova Voton”.