
Fillon rregullimi i rrugës që të çon drejt QKMF-së në Mitrovicë, Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com, 24.01.2025
Pas raportimit të KALLXO.com fillon të rregullohet rruga që të çon në QKMF “Nexhat Çuni”
Disa javë pas raportimit të KALLXO.com për gjendjen e rrugës së papërfunduar, e cila të shpie në drejtim të projektit milionësh – Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, filloi të rregullohet më 23.01.2025.
Projekti i QKMF-së “Nexhat Çuni” në Mitrovicë të Jugut, i cili u përurua më 06.01.2025, kushtoi 6 milionë e 16 mijë e 953 euro. Ndonëse Bedri Hamza së bashku me humanistin Halil Kastrati, kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, e prenë shiritin për përurimin e kësaj qendre, hyrja dhe rruga që të çon aty ende nuk ishin gati.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës së Jugut, Fahri Shabani, tha për KALLXO.com se te rruga ka qenë duke u punuar edhe para përurimit të QKMF-së mirëpo sipas tij, punimet janë ndërprerë shkaku i kushteve atmosferike.
“Aty është duke u punu me projektin e oborrit, parkingut edhe rrugës deri te rruga kryesore. Ka fillu para se me u përuru na por për shkak të temperaturave të ulëta operatori i ka ndalu punimet. Tash i ka rifillu dje. Aty do të përfundohet projekti i parkingut, i oborrit dhe i rrugës”- tha Shabani më 24.01.2025.
I pyetur nga KALLXO.com se a rregullohet rruga e pastaj ofrohen shërbimet për pacientët apo do të ndodhë e kundërta, Shabani tha fillimisht do të rregullohet çështja infrastrukturore – rruga.
“Nuk fillojnë shërbimet pa u kriju kushtet e përshtatshme për qytetarë që me pasë qasjen. Nuk ka kuptim ata duke punu, njerëzit me ardhë me marrë shërbime, s’ka logjikë ajo. Nuk muj me dhanë datën e saktë se varet edhe prej kushteve atmosferike”- përfundoi ai.
Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com, 24.01.2025

Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com, 24.01.2025
Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com, 24.01.2025