Komuna e Mitrovicës | Foto: KALLXO.com

Komuna e Mitrovicës së Jugut ekzekutoi pagesat e subvencionimit për barna e trajtime mjekësore për qindra qytetarë

Komuna e Mitrovicës së Jugut më 28.04.2025 ka ekzekutuar pagesat e subvencionimit të shpenzimeve për barna dhe trajtime mjekësore për 695 qytetarë në shumë totale prej 80 mijë eurosh.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Shëndetësisë, Fahri Shabani, i cili thekson se po ndihmohen qytetarët e prekur nga sëmundjet kanceroze, fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara dhe ata me sëmundje të rënda, me subvencionim të shpenzimeve për barna dhe trajtime mjekësore.

Më tej, në njoftim thuhet se këto mjete janë siguruar nga buxheti i Komunës së Mitrovicës.

Sipas Shabanit, mbështetje të tillë do të ketë edhe në të ardhmen.

“Duke shpresuar, që kemi lehtësuar sa do pak barrën e shpenzimeve në barna dhe trajtime mjekësore të qytetarëve tanë, ne do të vazhdojmë me këtë program të mbështetjes edhe në të ardhmen”- përfundoi ai.